Transmetuar më 19-09-2018, 23:52

Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së, Mesila Doda, të mërkurën, deklaroi se kryeministri Edi Rama do rrëzohet me vetting ose me grusht shteti.

Doda u shpreh në studion e emisionit ‘Opinion’ se nëse nuk arrihet të shkëputet në mënyrë institucionale bashkëpunimi i politikës me krimin, në Shqipëri jemi në gjendjen e grushtit të shtetit.

E pyetur nga drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu, në lidhje me deklaratën e ish-kryeministrit Berisha të enjten e shkuar në të njëjtën studio. Ku ish-kryeministri tha se opozita nuk vjen dot në pushtet me votë, pasi krimi dhe qeveria janë bërë njësh.

Për Dodën, ky është një interpretim me kast i kësaj deklarate. Pasi është shumë e qartë, sigurisht që do të ketë zgjedhje në vend. Por, nuk mund të ketë zgjedhje asnjëherë me votë për sa kohë Edi Rama është kryeministër.

Fevziu: Si do e zgjidhni ju këtë, pasi nuk ka forma të tjera për t’a rrëzuar nga pushteti, përveç votës?

Ka shumë mënyra të tjera. Një do të ishte zbatimi i ligjit të vettingut. Personat që janë të lidhur me krimin duhet të largohen. Kjo është një mënyrë. Por ekziston edhe një mënyrë tjetër. Në ’91 kur e keqja u bë mal, njerëzit dalin përballë. Unë jam e bindur se nëse nuk arrihet në mënyrë institucionale, në Shqipëri jemi në gjendjen e një grushti shteti.