Transmetuar më 19-09-2018, 21:54

Nga Bujar Nishani

Dje u ekzekutua në Parlament një tragji-komedi tjetër e një arrogance të pafre, e një pushteti që ka dalë nga çdo binar duke shkarë në një nivel ordiner për tu mëshiruar. Brenda një seance të një komisionit të përherëshëm, u votua të miratohej Dekreti i Presidentit që rrëzonte ligjin special për Teatrin dhe po aty, komisioni miratoi amendamente të po të njëjtit ligj. Pa i hyrë debatit esencial se një ligj që rrëzohet nga miratimi i Dekretit Presidencial duhet të ndjek proçedurën e një ligji të rrëzuar nga votimi në Parlament apo jo, sjellja e maxhorancës në Komisionin Parlamentar e ka përdhosur totalisht dhe përfundimisht parlamentarizmin, shtetin ligjor, pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri. Ligji nuk mund të amendohej pa u votuar në seancën plenare Dekreti i Presidentit. Si mund të amendosh një ligj që e ke votuar njëherë në seancë dhe ende ai nuk është rrëzuar. Dekreti nuk konsiderohet i miratuar apo i rrëzuar nga votimi në Komisioni, por vetëm nga Seanca Plenare. Seanca mund ta rrëzojë atë Dekret që Komisioni e ka miratuar. Për rrjedhojë Ligji Special hyn automatikisht në fuqi ashtu siç është miratuar para kthimit nga Presidenti. Si mund të miratojë amendamente të reja për ndryshimin e ligjit ky komision, kur ende nuk ka një votim për dekretin që kthen për rishikim ligjin e votuar njëherë nga Parlamenti ? Sjellje më skandaloze, dhunim më të hapur të kushtetutes, ligjeve dhe procedurave ligjore, fyerje më të ashpër të dinjitetit të qytetarëve të thjeshtë me këtë akt, zor se mund të gjesh. Kjo qeveri nuk njeh më asnjë kufi. Nuk njeh më Kushtetutën. Nuk njeh më asnjë ligj Nuk njeh më Parlamentin. Nuk njeh më shtetin, institucionet, kodet, rregullat. Nuk e njeh më normalitetin. Kjo qeveri po i bën thirrje ligjit të xhunglës.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al