Transmetuar më 19-09-2018, 20:18
Lulzim Basha gjatë një deklarate për mediat

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dhënë një deklaratë për mediat lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve të mazhorancës të rrëzojnë ligjin “Rama-Fusha” siç e quajti ai dhe mos të pranojnë amendimin që ka përgatitur mazhoranca.

“Nesër çdokush që ngre kartonët për një ligj antikushtetues, do të trajtohet politikisht nga opozita si terrorist”, tha Basha.

Ai tha se në seancën e së enjtes po përgatitet një akt antikushtetues për të pasuruar Edi Ramën me 205 milionë euro. Sipas liderit të PD, shefi i qeverisë po i shkon deri në fund kësaj afere për të pastruar paratë e krimit.

“Nesër në Kuvendin e Shqipërisë do të kryhet një akt antikushtetues. Në vend të pranimit të dekretit për rrëzimin e ligjit Rama-Fusha, do të amendohet ligji. PD ka një qëndrim të qartë dhe të pandryshuar, ligji Rama-Fusha duhet të rrëzohet nesër në parlament. Do t’i them sot çdo deputeti të Rilindjes, se votimi i një ligji që i hap rrugë shkatërrimit të teatrit, është i papranueshëm, antikushtetues dhe vendos çdo deputet të Rilindjes në pozita të barabarta me terroristët”, tha Basha./a.m./noa.al/