Transmetuar më 19-09-2018, 17:50

Procesi gjyqësor dhe hetimor për vrasjen e Marvi Mihalit ka marrë një tjetër rrjedhë, pasi Prokuroria e Tiranës thotë se nuk kanë qenë katër persona që e kanë sulmuar viktimën, por pesë.

Personi i pestë ende nuk dihet se cili është, por Prokuroria thotë se ka dëshmitarë që do të dëshmojnë për të dhe se ai ka qenë i armatosur me armë të ftohtë. Bëhet fjalë për ngjarjen tragjike që i mori jetën Marvi Mihalit, si pasojë e një konflikti për një karikues telefoni, shkruan Panorama.

Pas shumë javësh shtyrjeje të nisjes së procesit në themel, më në fund shqyrtimi gjyqësor u hap. Seanca nisi rreth orës 13:45 të ditës së djeshme në një sallë të tejmbushur në Gjykatën e Tiranës.

Më të shumtë ishin familjarët e të akuzuarve, ndërsa në krahun tjetër qëndronin prindërit në zi të Marvi Mihalit. Edhe pse me masa sigurie, seanca nuk pati incidente.

Kreu i trupës gjykuese, Sokol Tona, që në nisje të seancës shpalli vendimin për një nga kërkesat e të akuzuarve, që kishin kërkuar më parë përjashtimin e tij nga trupa gjykuese.

Kjo kërkesë, sipas Tonës është rrëzuar. Në sallën e gjyqit mungonin të akuzuarit për ngjarjen, të cilët përfaqësoheshin nga avokatët e tyre.

Pasi u shpall rrëzimi i kërkesës së parë, pra ai i përjashtimit të kryetarit të trupës gjykuese, avokatët e Dejvi Bitrajt dhe Kridens Allës, Sokol Hazizajt dhe Ilir Muratit, kërkuan gjykim të shkurtuar për klientët e tyre, ndërsa avokati i Eugen Bitrajt kërkoi gjykim normal.

Në këtë pikë pati edhe reagim nga përfaqësuesi i familjarëve të viktimës. Avokati Saimir Vishaj tha se kërkesa për gjykim të shkurtuar duhej rrëzuar, pikësëpari pasi ajo kërkohet përpara se çështja të nisë në themel dhe së dyti, do të prishte hetimin e çështjes.

Trupa gjykuese u tërhoq për vendim dhe më pas shpalli rrëzimin e kërkesës për gjykimin e shkurtuar, si edhe nuk pranoi që çështjet të veçoheshin.