Transmetuar më 19-09-2018, 16:48

Një ditë para seancës plenare, dy kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, PD dhe LSI, i janë drejtuar me një letër kryeparlamentarit, Gramoz Ruçi.

Në artikulimin e saj, opozita kërkon rrëzimin e ligjit të modifikuar të Teatrit Kombëtar.

Në letrën e nënshkruar nga kryetarët e grupeve parlamentare, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili, thuhet se "ndryshimet e propozuara në mënyrë antikushtetuese nga mazhoranca, nuk eliminojnë në vetvete asnjë nga konstatimet e drejta dhe kushtetuese të bëra nga Presidenti i Republikës. Reflektimi i konstatimeve kushtetuese të presidentit nuk mund të arrihet vetëm nëpërmjet rrëzimit tërësor të ligjit".

Në letër thuhet gjithashtu se Kuvendi mundet dhe duhet të votojë vetëm pro dekretit të Presidentit. Spaho dhe Vasili i kërkojnë Ruçit që t’ia kthejë ligjin mbrapsht qeverisë dhe të "tërheqë vëmendjen për propozimin antikushtetues që ka bërë dhe për propozimin e një iniciative korruptive dhe klieneteliste, duke tentuar të shehë paligjshmërinë pas votimit të deputetëve të Kuvendit".

Opozita e konsideron të pa precedentë në përmbajtje dhe në qëllim ligjin që synon shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, duke nënvizuar se është "një akt i qartë korruptiv dhe kriminal, i cili asgjëson Kushtetutën dhe ligjëron tjetërsimin korruptiv të pasurive publike".

Vasili dhe Spaho kërkojnë që në kushtet e paprecedenta ku mungon Gjykata Kushtetuese, Kuvendi ka detyrim të rishoh ligjin në tërësi. /k.k/noa.al/