Transmetuar më 19-09-2018, 14:44

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto ka fituar pafajësinë, pas akuzave për korrupsion.

Vendimi është marrë nga Gjykata e Apelit, në bazë të të cilit bien poshtë akuzat e ngritura ndaj tij.

Artur Zoto dyshohet se është i përfshirë në korrupsionin me tenderat e ushqimeve, për të cilat u arrestua zv/drejtori i burgjeve Iljaz Labi.

Nga bisedat e përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, u ngritën dyshime të forta për implikimin në aferat korruptive në tenderat e ushqimit në burgje.

Zoto apeloi vendimin e Gjykatës të Krimeve të Rënda, e cila e dënoi atë me 5 vjet heqje lirie.

Ish- kreu i Burgjeve u shpall fajtor për akuzën e korrupsionit, e kryer në bashkëpunim. Kjo akuzë iu ngrit pas dëshmisë së dhënë nga Iljaz Labi, ish-vartës i tij.

Labi ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Avokati i Zotos ka thënë se nuk vërtetohet akuza e korrupsionit në bashkëpunim për klientin e tij. /k.k/noa.al/