Transmetuar më 19-09-2018, 13:52

Deputeti socialist Pandeli Majko, reagon ndaj kritikave të demokratëve ndaj vendosjes së këngëve partizane në shkolla.

Ai thotë se opozita sot ka protestuar pse është dëgjuar në ambientet e një shkolle “kënga e partizanit të vogël Velo”, gjë që sipas tij është për të qeshur dhe për të ardhur keq.

“Çfarë të keqe paska kjo këngë dhe kë fyen ajo?! Para pak kohësh, qeveria shqiptare mori vendimin për të rikthyer në atdhe të eshtrave të Mit’hat Frashërit. Asnjë veteran apo familje të lidhura me luftën nuk protestoi. Pasardhësin e Frashëllinjve me gjithë ndarjet dhe kundërshtitë që vijnë nga historia e para 1944-ës si ish-kreu i Ballit Kombëtar ata e respektuan si njerëz dhe si shqiptarë dinjitozë. Opozita heshti për këtë vendim”, thotë Majko në qëndrimin e tij.

Ai shton se opozita merret sot me faktin pse këndohet kënga për një partizan që mori armët në moshë të re kundër okupatorit të vendit.

Sipas tij, “Këshillat e lagjeve” të dikurshme në kohën e komunizmit të shikonin me kë rrije, si i mbaje flokët dhe çfarë kënge këndoje.

Në këtë linjë ai shton, “Bravo i qoftë asaj shkolle që ka vënë këngë partizane për ditën e parë të shkollës. Ajo është kënga e atyre që rrëmbyen armët kur atdheun ja u pushtuan të huajt. Ky quhet patriotizëm jo komunizëm”.

Po ashtu thotë se komunizmin nuk ja u sollën partizanët 14 vjeçarë, ndërsa e fton opozitën të shikojë se sa ish-partizanë janë burgosur gjatë komunizmit dhe pastaj të protestojë.

“E djathta sot është në opozitë jo nga kënga që ju këndojnë kundërshtarët por nga padija për të kënduar një këngë të vetën… Sigurisht”, thotë në mbyllje të qëndrimit Pandeli Majko.

Por ky qëndrim i tij nuk i ka lënë indiferentë ndjekësit e tij, të cilët i janë kthyer kundër.

“Je për tu keqardhur. Jo po dil e thuaj i lumtë edhe Termet Peçit”, shkruan një tjetër.

“Velos bravo i qoftë që mori armën dhe u mundua me aq sa kishte mundësi për të çliruar vendin e tij nga pushtuesit e huaj, por Velua dhe komisari tani kanë vdekur, po e them këtë sepse sot komisari jeni ju zoti Majko dhe s’po ju shoh të bëni asgjë për çlirimin e shqipërisë nga pushtuesit sot shqiptarë që duan ta rrjepin atë vend si psh rruga e kombit (që vetëm e tillë s’mund të quhet) më mirë do të quhej rruga e përçarjes, prandaj do ju kerkoja të bëheshit burrë dhe boll keni heshtur , ka ardhur koha të ngrini fort zërin sepse shqiptarët kanë besim te ju”, shkruan një komentues.

Një tjetër shton, “Zoti Majko me gjithë respektin që kam për ju, duhet të merreni më shumë me problemet e emigrantëve në Greqi, janë mbi 30 mijë shqiptarë mbi moshën 70 vjeç që nuk lëvizin dot të udhëtojnë për në Shqipëri”. /a.y/noa.al