Transmetuar më 19-09-2018, 13:30

Shumica parlamentare e Partisë Socialiste bëri të ditur përmes kryetarit të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese Eduart Shalsi se ka ndër mend të bëjë disa ndryshime në ligjin e shumëpërfolur “Për Procedurën e Veçantë të Negociimit për Ndërtimin e Teatrit Kombëtar”, duke krijuar një situatë të paqartë ligjore, në të cilën, shumica parlamentare njëkohësisht e pranon dekretin dhe gjithashtu e rrëzon atë.

Duke folur më Komision gjatë shqyrtimit të dekretit, Shalsi tha: “Kemi arritur në konkluzionin e pranimit të dekretit të Presidentit”.

Por menjëherë pas kësaj ai shtoi: “Në diskutime me grupe të ndryshme kemi arritur sot në një draft propozim që do ta shqyrtojmë në komision në lidhje me ndryshimet në ligj”.

Deputetët e opozitës protestuan ndaj qëndrimit ambig të shumicës duke argumentuar se dekreti për kthim ligji nga presidenti ose pranohet, ose rrëzohet.

Presidenti Ilir Meta dekretoi “kthimin për shqyrtim në tërësi” të ligjit për Teatrin, duke argumentuar se ligji cenon Kushtetutën në shumë aspekte të saj.

“…Ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, shkruhet në dekretin e Metës.

Por maxhoranca socialiste reagoi menjëherë pas dekretit duke deklaruar se do ta rrëzojë atë menjëherë. Qeveria e kryeministrit Edi Rama u detyrua të ndryshojë opinion mbi çështjen kur më 6 shtator, Komisioni Europian iu përgjigj shqetësimeve të protestuesve dhe opozitës me një letër për qeverinë, ku theksohet se përcaktimi i përfituesit të një toke publike me një ligj special parlamentar përbën një shkelje të parimit të konkurrencës së lirë si dhe mund të përbëjë shkelje të rregullave mbi ndihmën shtetërore.

Letra nga BE detyroi qeverinë të tërhiqet nga pozicioni i saj se ligji special është “normal” dhe se “nuk mund të ketë garë”. Komisioni Europian u shpreh gjithashtu vetëm për shkeljet potenciale që sjell ligji i ri mbi Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit (MSA), marrëveshja kyç që detyron Shqipërinë të zbatojë rregullat e Bashkimit Europian në një sërë fushash. Por Komisioni në letrën e vet theksoi gjithashtu se ai nuk ka kompetencë të gjykojë për shqetësime të tjera të ngritura nga protestuesit, opozita politike dhe dekreti i Metës.

Dekreti i Presidentit rendit njëmbëdhjetë shqetësime, përpos pikëpyetjeve të ngritura në kuadër të MSA-së, ndërsa shumica parlamentare duket se synon të përdorë dekretin si një mundësi për të trajtuar shqetësimet e Komisionit Europian duke lënë mënjanë shqetësimet e tjera.

Në përpjekje për të argumentuar pozicionin e maxhorancës, zyra e shtypit të Kuvendit të Shqipërisë shpërndau në media një email ku sugjerohet se një ndërhyrje e tillë në dekretet presidenciale “ka precedentë”.

“Bazuar në rastin e sotëm të Dekretit të Presidentit […] bashkëngjtur gjeni materialet në raste të tjera, kur ka ndodhur që është pranuar Dekreti i Presidentit të Republikës dhe janë bërë ndryshime në ligj”, shkruhet në email.

BIRN nuk ishte në gjendje të vërente nëse dokumentet bashkëngjitur të sjella nga zyra e shtypit, kishin apo jo lidhje me debatin në fjalë.

Qeveria shqiptare propozoi qershorin e kaluar në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që shpallte fitues “me procedurë të veçantë negociimi” kompaninë Fusha Sh.p.k të të drejtës për të zhvilluar një sipërfaqe toke më së shumti publike në qendër të Tiranës në shkëmbim të ndërtimit të një teatri të ri. Ky është një rast i rrallë kur Shqipëria përcakton përfituesin e një toke publike drejtpërsëdrejti në ligj.

Pas pranimit të argumenteve të Komisionit Europian në lidhje me shkeljen potenciale të MSA-së, pikëpyetjet mbeten se pse qeverisë i nevojitet të miratojë një ligj special në vend që të trajtojë çështjen në bazë të kuadrit ligjor ekzistues.