Transmetuar më 19-09-2018, 12:53
Etilda Gjonaj

Paraditen e sotme Kryeministri Edi Rama mblodhi, koordinatorët e bashkëqeverisjes, nga ku deklaroi se është e rëndësishme që rastet e mbetura pezull për vite, me kosto të mëdha, jo vetëm financiare por edhe morale të pasohen me një hetim administrativ.

“Përgjegjësit do të marrin ndëshkimin e merituar. Nga sot, çdo të mërkurë, paralelisht me rastet e zgjidhura, me ministren e Drejtësisë do të bëjmë me dije rastet e ndëshkimit dhe përgjegjësit”, u shpreh Rama.

Rreth dy orë më vonë pas kësaj deklarate, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka dalë në një konferencë për mediat ku komunikoi shkarkimin e tre drejtorëve të ALUIZNI.

Duke bërë me dije rezultatet e task-forcës Antikorrupsion, ajo tha se Task-Forca ka rekomanduar gjithsej 60 masa disiplinore dhe 8 kallëzime penale për drejtues, ish-drejtues dhe punonjës të niveleve të ndryshme të administratës shtetërore.

Sipas saj, të gjitha institucionet përgjegjëse kanë zbatuar rekomandimet e Task Forcës Antikorrupsion duke marrë 60 masa disiplinore, nga të cilat 9 largime nga punakonkretisht për tre përgjegjës sektori të ALUIZNI-t Tirana Rurale, dy inspektorë të Pikës së Inspektimit Kufitar të AKU pranë Portit Durrës; Kryeinspektorin e Inspektoriatit Shtetëror të Punës në Durrës;  Kryeinspektorin e Inspektoriatit Shtetëror të Punës në Fier; Drejtorin e ALUIZNI Tirana Jug, dhe përgjegjësin e sektorit të legalizimeve të po kësaj drejtorie.

Gjithashtu është depozituar kallëzim penal pranë organit të Prokurorisë për dy inspektorë të Pikës së Inspektimit Kufitar të AKU-së pranë Portit Durrës, të cilët dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke kryer veprime që kanë cënuar respektimin e detyrimeve ligjore në fushën e sigurisë ushqimore.

Ish-Drejtorët e ALUIZNI Tirana Jug dhe Tirana Rurale si dhe 4 përgjegjës sektori të legalizimeve, të cilët dyshohen të kenë kryer, veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke legalizuar objekte në mos respektim të procedurave dhe në shkelje të afateve për rastet e legalizimeve të objekteve të ndërtimit. /a.y/noa.al

Ankesat e qytetarëve, Rama: Çdo të mërkurë do publikojmë rastet e ndëshkimit të përgjegjësve