Transmetuar më 19-09-2018, 12:18

Partia Demokratike kallëzon në Prokurori, kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, duke thënë se i dha kompanisë “Fusha sh.p.k” 2.6 milionë euro pa garë për të zëvendësuar palmat e thara me pisha.

Ishte deputeti Klevis Balliu, i cili në kthim nga Prokuroria, tha nga selia blu se e akuzoi Veliajn për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Sipas tij, kryebashkiaku ka shkelur ligjin në mënyrë flagrante për t’i dhënë miliona euro të tjera kompanisë “Fusha”, të njëjtës kompani që zgjodhën për të vjedhur tek sheshi “Skënderbej”, të njëjtës kompani që sipas tij, po përdorin për të grabitur tokën e Teatrit Kombëtar për të ndërtuar kullat me paratë e drogës dhe korrupsionit.

Deputeti demokrat tha se, në kundërshtim të plotë me ligjin e prokurimeve, Erion Veliaj i ka dhënë kompanisë “Fusha” 2.6 milionë euro për blerjen e 400 pishave dhe se ligji përcakton garë transparente, por kur bëhet fjalë për “Fushën”, për “Maliqin” e Bashkisë së Tiranës ligji shkelet dhe gara eliminohet.

“Për t’i dhënë “Fushës” 2.6 milionë euro, Erion Veliaj ka pranuar që një pishë të blihet me një vlerë marramendëse 6 500 euro copa. Me 2.6 milionë euro Erion Veliaj mund të kishte ndërtuar një shkollë të standarteve më të mira, me pajisje të kohës, laboratorë dhe palestër, por ai zgjodhi të blejë pisha, disa prej të cilave janë tharë, të tjera janë prerë nga vete bashkia, edhe pse kanë kushtuar 6 500 euro copa”, u shpreh Balliu.

Ai deklaroi se në Prokurori ka paraqitur prova filmike dhe disa fotografi që tregojnë prerjen dhe tharjen e pishave, njësoj si palmat.

Po ashtu shtoi se në më pak se 3 vjet, Erion Veliaj i ka dhënë rreth 25 milionë euro kompanisë “Fusha”, gjysmën e të cilave pa garë.

Balliu tha se Partia Demokratike ka treguar më herët se pronari i kompanisë “Fusha”, Shkëlqim Fusha, është familjar i afërt me Petrit Fushën që, deri dje, drejtonte Prokurorinë e Tiranës, dhe mbylli dosjen e Ardit Gjoklaj, ku sipas tij Bashkia kishte përgjegjësi penale.

“Pas kësaj, Edi Rama dhe Erion Veliaj i dhanë Shkëlqim Fushës ndërtimin e sheshit Skënderbej dhe parkingut privat atje.  Dhe sa para duhet të paguajnë qytetarët e Tiranës që Veliaj të lajë borxhin me Fushajt në kurriz të drejtësisë për Arditin dhe duke vjedhur shqiptarët?!”, pyeti deputeti demokrat.

Balliu i bëri thirrje kryeprokurores Arta Marku, që të mos pengojë hetimin për kryetarin e Bashkisë së Tiranës për aferën korruptive të 2.6 milionë euro për pishat e thara e të prera.

Ai e mbylli fjalën duke thënë, “Erion Veliaj duhet të përfundojë në burg përpara se vetingu të pastrojë zyrën e kryetarit të Bashkisë nga kryehajduti i Tiranës”. /a.y/noa.al