Transmetuar më 18-09-2018, 08:36

Presidenti Ilir Meta vizitoi këtë të hënë Vatikanin, ku u prit në një takim të posaçëm nga Papa Françesku.

Por një ditë pas këtij takimi historik, kreu i shtetit shqiptar ka publikuar pamje nga ky takim, që nga pritja, bashkëbisedimi dhe largimi nga selia e shenjtë.

Në këtë vizitë Meta shoqërohej nga dy vajzat e tij, Bora dhe Era, ku më e madhja siç e do tradita, kishte hedhur shami në kokë.

Gjatë takimit Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Selisë së Shenjtë në rimëkëmbjen shpirtërore e sociale të komunitetit katolik dhe popullit shqiptar, veçanërisht pas daljes së vendit nga izolimi i gjatë komunist dhe vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta e falënderoi Papa Françeskun, për lartësimin mbarëbotëror të simbolit më domethënës shpirtëror të kombit shqiptar, Nënë Terezës, përmes shenjtërimit të saj.

Duke shprehur mirënjohjen për vëmendjen e veçantë që Papa Françesku ka treguar për popullin shqiptar, Presidenti Meta, e siguroi Atin e Shenjtë për vokacionin e qartë e të pandryshuar evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe vendosmërinë e tyre për të ecur në rrugën e integrimit evropian. /a.y/noa.al Meta në Vatikan, takon Papa Françeskun: Faleminderit Selia e Shenjtë për mbështetjen