Transmetuar më 17-09-2018, 23:31

Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, është liruar nga burgu tre vjet pas dënimit për akuzën e trafikut të drogës në tentativë.

Mësohet se Hoxha është liruar me kusht dhe se ai e ka lënë qelinë ditën e premte, më 14 shtator.

Hoxha u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda në korrik të 2017 me 10 vite burgim me gjykim të shkurtuar, së bashku me anëtarët e tjerë të grupit ‘Xibraka’.

Nga gjykimi i shkurtuar dënimi zbriti në 6 vite dhe 8 muaj burgim.

Ermal Hoxhës i ka mbetur edhe 1 vit e 6 muaj burg pa vuajtur nga dënimi i dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Lirimin e tij e ka konfirmuar edhe bashkëshortja e Ermalit, Rezarta Shkurta nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në Instagram.

Ajo ka shpërndarë një video në rrjetet sociale ku shfaqen Ermali dhe vajza e tyre.

“Familja ime e vockël u bashku! Faleminderit për çdo fjalë e mbështetje që kam ndjerë nga ju, këto vite të vështira… Uroj nga zemra për gjithsecilin nga ju, të gjitha urimet që më keni dhënë, t’ju kthehen në bekime në jetët tuaja”, ka shkruar ajo./a.k/noa.al/