Transmetuar më 17-09-2018, 18:09

Një konflikt disavjeçar mes dy grupeve të njohura të rrepit shqiptar në Kosovë e Shqipëri, i cili kulmoi me një përleshje të armatosur dy vjet më parë në qendër të Prishtinës, është mbyllur sot në gjykatë kur përfaqësuesit e tyre pranuan fajin dhe shpallën pajtimin.

Katër ditë pasi janë mbushur dy vjet nga përleshja e armatosur në të cilën kishte mbetur i plagosur lideri i labelit OTR, Rigels Rajku (Noizy), palët u përballen në gjykatë.

Më 13 shtator të vitit 2016, rreth orës 17:15 në parkingun para një hoteli, kishte ndodhur një përleshje mes dy prej grupeve më të mëdha të reperëve dhe në këtë rast gjyqësor i akuzuar është Noizy, ndërsa reperi Cozman i BabaStars është palë e dëmtuar. Si pasojë e kësaj përleshje mbetën të lënduar disa persona, përfshirë edhe Rigels Rajkun. Për plagosjen e tij është i akuzuar Albert Krasniqi nga Baba Stars. Ndërsa Visar Shala, i njohur në tregun e muzikës me nofkën ‘Skivi’, është vetëm dëshmitar në këtë proces gjyqësor.

Noizy ishte i pari që u deklarua për këtë rast. Në deklarimin e sotëm gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ai tha se ndihet keq për konfliktin në të cilin ai kishte mbetur i plagosur.

“Akuzën e pranoj. E kuptoj shumë mirë. Unë ndihem me të vërtetë fajtor. Nuk e di a do të më pranohet kjo por kërkoj falje, kjo ka ndodhë, ne jemi të rinj dhe ne e kemi falë njëri- tjetrin. Kemi vendosë që të kaluarën ta lëmë prapa. Jemi takuar edhe me familjen e Albertit dhe me familjen time, kemi vendosur që këto t’i lëmë prapa”, tha Rigels Rajku-Noizy para gjykatës.

Pas tij, fajësinë e pranoi edhe pjesëtari tjetër i grupit rival Babastars, Albert Krasniqi.

“Po e pranoj fajësinë dhe ndjehem shumë keq për rastin që ka ndodhë. Ne jemi pajtuar dhe tash jemi miq”, ka thënë ai, raporton Kallxo.

Në gjykatë sot nuk është paraqitur i akuzuari tjetër, Elvis Hyseni, për të cilin avokati i tij tha se jeton në Londër dhe nuk ka pasur mundësi që të vijë.

“Prindi i Elvisit më ka njoftuar se ai jeton në Londër dhe nuk ka mundur të gjejë biletë të vijë këtu”, tha mbrojtësi i të akuzuarit Elvis Hysenit, avokati Aziz Rexha.

Në mungesë të të akuzuarit Hyseni, kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra mori aktvendim për ta veçuar procedurën ndaj këtij të akuzuari me qëllim të ekonomizimit të procedurës.