Transmetuar më 17-09-2018, 16:41
Pamje nga vendi i krimit

Është dhënë pretenca për të akuzuarit për masakrën e 27 Majit të vitit 2015 në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë ku mbetën të vdekur tre persona.

Mentor Doçi (Lufi), Besnik Sulku dhe Gerti Goxhaj u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit mes dy grupeve.

Lidhur me këtë ngjarje, prokuroria ka kërkuar dënimin me burg përjetë për italianin Salvatore Lettizia, i njohur si vrasës me pagesë.

Ndërkohë, për Klevis Doçin organi i akuzës ka kërkuar 24 vite burg ndërsa për Markelian Doçin 34 vite.

Pasditen e 27 Majit të vitit 2015, Mentor Doçi ishte në kafene me një mik pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Sapo ai u ngrit, i bënë pritë shtetasit Besnik Sulku dhe italiani.

Mentori mbeti i vdekur së bashku me mikun e tij Gerti Goxhaj.

Por, atentatorët nuk kishin llogaritur që në një makinë të parkuar aty, ishin dy nipat e Doçit, Markeliani dhe Klevis.

Ata dolën me shpejtësi nga makinat dhe hapën zjarr duke arritur të vrasin shtetasin Besnik Sulku, ideator i atentatit.

Ndërkohë, italiani u arratis por u prangos pas disa orësh nga policia.

Konflikti mes Besnik Sulkut dhe Mentor Lufit (Doçit) kishte nisur pasi ky i fundit dyshohej si autor i vrasjes së Durim Sulkut, vëllait të Besnikut, ngjarje kjo  ndodhur në Holandë./a.m./noa.al/