Transmetuar më 17-09-2018, 15:09
Tahiri teksa del nga gjykata i shoqëruar nga policia

Mbërrin nga Mali i Zi përgjigja e prokurorisë së këtij vendi pas letërporosisë së dërguar nga vendi ynë lidhur me disa informacione që kërkoheshin për hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm Samir Tahiri.

Mësohet se përgjigja ka mbërritur që në muajin Korrik, por vetëm sot lajmi është bërë publik për mediat.

Por, ky dokument i mbërritur nga vendi fqinj, duket se nuk do t’i vijë shumë në ndihmë prokurorisë shqiptare.

Kjo pasi në letërporosi nuk ka asnjë të dhënë nga ato që kërkoheshin nga pala shqiptare.

Burimet nga prokuroria bëjnë me dije se në letërporosi konfirmoher se Tahiri në Gusht të vitit 2016 ka qenë në këtë vend për pushime së bashku me familjen, por nuk ka asgjë më shumë.

Në fakt, udhëtimi i Tahirit drejt Malit të Zi është një informacion që vetë ish-ministri e ka pohuar para prokurorëve.

“Është një letërporosi pa përgjigje dhe në gjykimin tonë nuk ka të dhënat që ne kemi kërkuar”, bëjnë me dije burimet nga organi i akuzës.

Sipas Prokurorisë, Tahiri ka shkuar në Malin e Zi me makinën e biznesmenit që u kap me mbi 800 mijë euro në makinë. Në 2 Gusht, dy vëllezërit dhe shoferi i ministrit Tahiri u nisën bashkë drejt Italisë./a.m./noa.al/