Transmetuar më 17-09-2018, 13:21

Deputetja demokrate, Albana Vokshi, në cilësinë e kryetares së komisionit parlamentar të Edukimit, thotë se Ministria e Arsimit fsheh numrin e shkollave të mbyllura dhe numrin e nxënësve të cilët nuk nisën ditën e parë mësimore

Në një dalje për mediat ditën e sotme, ajo deklaroi se sot është dita e parë e shkollës së vitit shkollor 2018-2019.

Ajo tha se janë me mijëra fëmijë në të gjithë Republikën e Shqipërisë, por kryesisht në zonat rurale të cilët ose nuk kanë patur mundësi që të shkojnë në një shkollë, pasi shkollat e tyre janë mbyllur, ose janë detyruar të udhëtojnë me kilometra të tëra edhe më këmbë për të shkuar në shkollën më të afërt.

“Sot që është dita e parë e shkollës nuk kemi as edhe një informacion nga Ministria e Arsimit për numrin e mbylljes së shkollave; sa është numri total dhe ku janë shkollat që janë mbyllur? Sa është numri i nxënësve që duhen të shpërngulen nga njëra shkollë e mbyllur në shkollat e tjera? Sa është numri total i mësuesve të cilët kanë ngelur në ditën e parë të shkollës, të cilët janë edhe me shumë përvojë dhe eksperiencë, të cilët sot gjenden në rrugë?”, u shpreh Vokshi.

Në këtë linjë tha se Partia Demokratike duke mos pritur informacione nga Ministria e Arsimit, sot ka pasur në terren të gjithë deputetët e saj të cilët kanë vizituar të gjitha shkollat e mbyllura në të gjitha fshatrat dhe se në fakt gjendja është shumë e rëndë, është tronditëse, pasi deklaroi se janë rreth 150 shkolla të mbyllura.

Sipas saj, në oborret e shkollave nuk ka fëmijë të qeshur e të lumtur, por fëmijët janë zëvendësuar me qen ose me gjela, ose me pula, ose me shkurre.

“Por, faktin që unë dua të përmend sot janë edhe më të rënda, pasi jo vetëm ka dhjetëra shkolla të mbyllura në të gjitha qarqet e vendit, janë rreth 9 shkolla në Lezhë, 10 shkolla në Bulqizë, 10 shkolla në Mat, 6 shkolla në Klos, 8 shkolla në Pogradec, 3 shkolla në Devoll, 18 shkolla në Elbasan, 18 shkolla në Gjirokastër, 8 shkolla në Tiranë, 3 shkolla në Berat, janë disa shkolla në Vlorë, është një shkollë në Shkodër, janë rreth 150 shkolla të mbyllura sot”, deklaroi Vokshi.

Deputetja demokrat e cilësoi gjendjen në arsim si katastrofike dhe e gjitha kjo sipas saj, ka ardhur si rrjedhojë e politikanëve antisociale të Edi Ramës, si pasojë e politikave të dështuara Rama-Nikolla në arsim, si pasojë e braktisjes së arsimit, si pasojë e braktisjes së shkollave, sepse qytetarët duke qenë kaq të varfër, duke mos pasur asnjë mundësi jetese në qytet dhe në fshat, janë detyruar të azilojnë, janë detyruar që të braktisin shkollën.

Ajo shtoi më tej se, nuk janë mbyllur vetëm klasa kolektive ashtu sikurse Ministrja e Arsimit pretendon, por janë mbyllur edhe shkolla mëmë, dhe një pjesë prej tyre shkolla që kanë vlera shumë të rëndësishme historike.

“Është mbyllur sot shkolla në vendlindjen e Asdren-it, janë mbyllur shkolla të cilat janë hapur që në 1920 dhe 1926, me para të emigrantëve shqiptarë në Amerikë dhe sot Rilindja e Ramës i mbyll. Dhe mbyllja e shkollave është bërë në mënyrë antiligjore.

Është bërë në mënyrë antiligjore, pasi Ministrja e Arsimit ka shkelur nenin 41 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar. Për mbylljen e një shkolle, duhet të dalë një urdhër i Ministres së Arsimit, por duke pasur paraprakisht konsultim me komunitetin dhe duke pasur gjithashtu një propozim me shkrim të përbashkët nga Bashkia, njësia vendore, së bashku me drejtoritë arsimore lokale”, tha Vokshi.

Në këtë linjë tha se përderisa ministria nuk i ka bërë publike këto, atëherë ka shkelur urdhrin në mënyrë flagrante pasi asnjë pikë e nenit 41 nuk është përmbushur.

Në mbyllje të fjalës së saj, Vokshi deklaroi se arsimi sot është në ditën më të zezë, arsimi në fonde është në ditën e tij më të ulët, ndaj ajo premtoi se Partia Demokratike do ta ketë prioritetin e prioriteteve në programin e saj. /a.y/noa.al