Transmetuar më 17-09-2018, 10:43

Djali i Kryeministrit Edi Rama, Greg Rama, së fundmi ka çelur një ekspozitë personale të titulluar “Fidem”.

I ftuar në emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus, ai foli për projektin e tij, duke thënë se pati besim te vetja.

Ai tha se të atin e kishte ftuar të parin, me anë të një mesazhi në “WhatsApp”, duke thënë se nuk ia çoi ftesën me zarf, për shkak se kishte padurim për ta njoftuar, po se ai për shkak të një angazhimi politik, e pati të pamundur të shkonte.

Gregu u shpreh se nuk u konsultua me të atin për ekspozitën pasi donte t’ia bënte surprizë, ndërsa marrëdhëniet mes tyre i cilësoi si shumë të mira.

I pyetur se si i duket Shqipëria e vitit 2018 për një të ri 28-vjeçar, tha shkurt “Është pak komplekse”.

Ndërsa pyetjes se çfarë e irriton më shumë në Shqipëri, u përgjigj, “Trafiku. E vetmja gjë për të cilën nuk më merr malli”.

Po ashtu ai vlerësoi natyrën e vendit tonë duke e cilësuar të jashtëzakonshme.

I pyetur nëse urren politikën, u shpreh se, “Nuk kam asnjë urrejtje as ndaj politikës as ndaj atyre që merren me politikë. Sigurisht që është një profesion i vështirë që kërkon shumë sakrificë. Unë nuk merrem me politikë, por me aq sa kam kuptuar kërkon një angazhim të pandërprerë. Duhet të jesh gjithmonë i fokusuar dhe nuk është e lehtë”.

I pyetur që nëse i vjen keq që e thërrasin djali i Kryeministrit, ai shtoi se, “A më vjen keq! Jo, jo. Për mua do të jetë një arritje, do të jetë një sukses, më vete, kur të vijë ajo ditë e të thonë: e shikoni atë aty, ai është babi i Gregut!”

Ndërsa për raportin me të ëmën Matilda Makoçi, tha se, “Mami është njeriu që dua më shumë në jetë! Mami është shumë paqësore dhe shumë motivuese. Madje ka qenë ajo që në fillim, kur unë kam qenë i vogël, kur isha fëmijë 2 vjeç, ajo u pati thënë njerëzve që Gregu do të bëhet artist. Ndërkohë që unë u rrita, unë nuk e kisha fare qëllim që të merresha me art me thënë të drejtën. Por pastaj si duket, ndjeva adrenalinën të atillë aq sa nisa të merrem me këtë punë”.

Për vëllanë e vogël Zahon thotë se, “E kam pikë të dobët! E kam pikë të dobët! Është një fat i madh që ai erdhi në jetë”.

Madje për ekspozitën shprehet se do ta marrë me vete dhe do ti mbyllë dyert në mënyrë që ai ta shikojë këtë ekspozitë vetëm për vete. /a.y/noa.al