Transmetuar më 17-09-2018, 10:22

Kryeministri Edi Rama është ndalur paraditen e sotme, në inaugurimin e shkollës “Kosova”, me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor,

Në fjalën e rastit ai e cilësoi si një ditë të shënuar për fëmijët, nxënësit, fillimi i vitit të ri shkollor.

Ai bëri me dije se brenda pak javësh së bashku me Bashkinë e Tiranës do fillojë projekti i 17 shkollave të reja që do ndërtohen nga programi 1 miliardë i qeverisë dhe sot janë në fazën finale të zbatimit të kontratave të projektuar nga arkitektë të huaj.

“Për mua është një ditë e shënuar të jem këtu sot pas 15 vitesh luftë për këtë kënd të Tiranës ku mund të shkruhet një libër për Shqipërinë që kishim sepse këtu në këtë truall u ngatërruan të gjitha së bashku që nga babëzia e deri te korrupsioni i gjykata, leja e pallatit që mund ta kishte zënë përfundimisht këtë hapësirë historike të arsimit të Tiranës. Pastaj administrata e kaluar e bashkisë e vuri në plan për të ndërtuar në pallat dhe më pas më në fund ky makth mbaroi me ndryshimin në bashkinë e Tiiranës dhe me futjen në rrugë të projektit të ri”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se kur kthen kokën majtas, nuk kupton çfarë ndodh djathtas, por u zotua se do të çlirohet edhe pjesa djathtas, për të pasur një hapësirë të denjë midis shkollave dhe gjykatës dhe fëmijët e shkollës të përfitojnë më shumë mjedis publik.

“Një gjë është e sigurt që baza e një transformimi rrënjësor të arsimit pas shumë vitesh rrënim dhe kaos është vendosur. Fillimi i këtij viti me libra falas nga klasa e parë në të katërt, është një nga shenjat e një ndryshimi rrënjësor që nuk është thjesht tek muret, infrastruktura, por është tek tekstet, te mësuesit, te e gjithë mënyra si ndërtohet programi i shkollës”, deklaroi Rama. /a.y/noa.al

Viti i ri shkollor, urimi ndryshe i Ramës: Pas një lufte 15-vjeçare, rilindi shkolla simbol e Tiranës