Transmetuar më 17-09-2018, 09:58

Policia e Tiranës publikon një video, për të cilën thotë se është rasti më i mirë për të provuar besueshmërinë, nëse qytetarët telefonojnë në kohë tek policia.

Po ashtu thuhet se reagimi ishte i shpejtë dhe parandalues i pasojave të mëtejshme, që mund të vijnë si rezultat i papërgjegjshmërisë së drejtuesve të mjeteve, ashtu siç ishte edhe drejtuesi këtij automjeti, i cili si pasojë e mosrespektimit të sinjalizmit të semaforit në zonën e njohur si “Pallati me Shigjeta” u përfshi në përplasje me një motor.

Nuk njoftoi policinë për aksidentin, u largua nga vendi i aksidentit duke mos i dhënë ndihmë të dëmtuarit.

Po falë telefonatës në kohë dhe regjistrimit të ngjarjes nga kamerat e bordit të një automjeti, Policia Rrugore e kryeqytetit u vu menjëherë në ndjekje të tij.

E ndaluan dhe konstatuan se drejtuesi i automjetit ishte në gjendje të dehur në masën 0.83 mg/l.

Drejtuesi i mjetit A.N., 37-vjeç, u arrestua në kushtet e flagrancës për veprën penale të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur si dhe iu pezullua leja e drejtimit për mosdhënie ndihme të të dëmtuarit dhe largim nga vendi i aksidentit.

Policia e Shtetit falenderon qytetarin që dha kontributin e tij në zbardhjen e ngjarjes rrugore duke telefonuar Policinë dhe regjistruar aksidentin rrugor.

Po ashtu apelohet që të telefonohet në numrin 112 për çdo emergjencë 24/7. /a.y/noa.al