Transmetuar më 17-09-2018, 09:44

Ndërsa sot ka nisur viti i ri shkollor për 480 mijë nxënës, deputetët e Partisë Demokratike, janë ndalur në qarqe të ndryshme për të denoncuar mbylljen e shkollave.

Deputetja Lindita Metaliaj denoncon mbylljen e 9 shkollave ne qytetin e Lezhës. Nga Fishta ajo tha se, Edi Rama nuk ka prioritet arsimin dhe të ardhmen e vendit, por bashkëqeverisjen me bandat.

Ndërkohë deputeti Klevis Balliu denoncon mbylljen e 7 shkollave në Pogradec.

Largimi masiv i banorëve, kushtet e renda ekonomike dhe sociale, sipas tij, janë arsyet e mbylljes së tyre.

Nga Dajçi në Shkodër, deputetja Izmira Ulqinaku tregon arsyen e mbylljes së shkollave fillore dhe të mesme. Ajo denoncoi mosfillimin e vitit të ri shkollor për qindra nxënës, ndonëse një vit më parë mësimi vijonte normalisht.

Ndërkohë deputeti Xhemal Gjunkshi denoncon se “Rilindja” e arriti qëllimin, të shpopullojë fshatrat duke i degëdisur.

Ai tha se janë me dhjetëra shkolla që nuk do të hapen për të pritur nxënësit këtë vit , si në Sllovë, Kala të Dodës (Kallë ), Çidhën (Rrethas, Laças, Renx), Luzni, Melan, ndërsa është mbyllur në Trepçë dhe ajo e Rabdishtit është zhvendosur në Bellovë.

Janë mbyllur shkollat e Shimçanit, Bahutes e Limnjanit. Gjunkshi denoncoi se janë pothuajse të gjitha shkollat të pa rikonstruktuara, të pa lyera, pa xhama e me tavane të rëna.

Mbyllja e shkollave në Mat dhe braktisja nga mijëra nxënës është tregues i dhimbshëm se me Edi Ramën arsimi është çdo vit e më keq. Kështu tha deputetja Dhurata Çupi, e cila u ndal në Patin të Klosit.

Sakaq deputeti Luan Baçi u ndal në Boçovë të Fierit, për të denoncuar mbylljen e shkollave. /a.y/noa.al