Transmetuar më 16-09-2018, 20:56

Rreth 146 mijë tonë miell i importuar nga Serbia e Kosova me proteinë të ulët prej 9.5% është përdorur për prodhimin e bukës në vendin tonë.

Ndërkohë, standardi shqiptar për bukën duhet të jetë minimumi 11% proteinë.

Shifrat alarmante zbardhen nga Murat Kloboçishta, anëtar i Shoqatës së Përpunimit të Drithërave në Shqipëri. Sipas tij, në 2017-ën, është importuar plot 149 mijë ton miell i destinuar për industrinë e biskoterisë, në një kohë që nevojat për këtë të fundit janë rreth 3 mijë ton në vit.

“Po të shohim statistikat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nga Serbia dhe Kosova janë importuar vjet 149 mijë ton miell. Nëse do të flasim për biskoterinë, ajo nuk ka nevojë për më shumë se 2-3 mijë ton miell, çka do të thotë se gjithë sasia tjetër ka shkuar për prodhim buke. Ai miell për prodhim buke që është me proteinë 9.5% nuk është i përshtatshëm. Duhet të përcaktohet dhe të ndiqet ku do të shkojë ky miell, shkon për prodhim biskoterie apo nuk shkon sepse e gjithë loja këtu bëhet”, thotë Kloboçishta.

Nëse një person konsumon bukë që përmban më pak proteina se 11%, do të shfaqen jo pak problematika në organizmin e tij. Prof.Enver Roshi, ish drejtor i ISHP-së dhe pedagog në Fakultetin e Shëndetit Publik thekson se konsumimi i bukës me proteina të ulëta shkakton rënien e imunitetit të njeriut. Si pasojë, trupi është më i predispozuar për tu prekur nga infeksionet e veçanërisht ato të rrugëve respiratore.

Mjeku tregon se personat që konsumojnë më pak proteina mund të shfaqin edhe probleme me anenimë.

“Pra, barrierat kryesore janë ulja e rezistencës edhe shfaqja e infeksioneve respiratore apo infeksioneve të tjera të lidhura me proteinat. Fillon dhe anemia shfaqet dukshëm. Mungesa e marrjes së proteinave është fenomen i vendeve të varfra ku bazë kanë vetëm bukën. Roli i proteinave në organizmin e njeriut është jetik. Pa proteina nuk ka jetë”, thekson mjeku për News 24.