Transmetuar më 16-09-2018, 13:51

Ditën e nesërme, e hënë 17 shtator nis viti i ri shkollor, për sistemin parauniversitar. Lidhur me këtë ditë, shefi i Policisë Rrugore të Tiranës, Erion Ahmeti iu ka bërë një thirrje gjithë drejtuesve të mjeteve që të shmangin sa më shumë përdorimin e mjeteve personale.

Në një dalje për mediat këtë të diel, ai bëri me dije se janë marrë të gjitha masat në mënyrë që të mos bllokohet qarkullimi.

“Iu bëj apel prindërve dhe shoferëve që nesër të shmangin sa më shumë makinat personale dhe të përdorin transportin publik. Janë marrë masat që të mos ketë bllokim të trakut me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor”, u shpreh Ahmeti.

Sakaq nga punonjësit e policisë do të bashkëpunohet me drejtuesit e institucioneve arsimore dhe të pushtetit vendor për shkëmbimin e mendimeve, përcaktimin e detyrave dhe masave të përbashkëta, për rritjen e nivelit të sigurisë publike në ambientet shkollore, duke përcaktuar masa për kufizimin apo ndalimin e parkimit, qëndrimit dhe lëvizjes së automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave

-Vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale të domosdoshme për disiplinimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve;

-Mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë janë pika të grumbullimit të personave me precedentë kriminal, përdorues të pijeve alkoolike e narkotike dhe burim rreziku për prishje të rendit publik apo veprime të tjera të dhunshme ndaj personelit mësimdhënës e nxënësve të shkollave;

-Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete armë zjarri, armë të ftohta apo sende të tjera të forta të rrezikshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve dhe nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë;

-Mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme me rojet e shkollave dhe punonjësit e shërbimit të SHPSF-ve, në ato institucione arsimore që e kanë një shërbim të tillë. /a.y/noa.al