Transmetuar më 16-09-2018, 10:43

Partia Demokratike kërkon shkarkimin e kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi. Gjithçka pas një video ku Peçi shihet duke kënduar për Enver Hoxhën, dhe duke nderuar me grusht diktatorin.

Gjithçka duket në videon që gjeni më poshtë, ku Peçi shihet duke kënduar për Enver Hoxhën, dhe duke nderuar me grusht diktatorin.

Peçi ju bashkua këngës së marrë nga Goliku i Grupit të Bënçës, gjatë një aktiviteti të mbajtur këtë të shtunë me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të Tepelenës.

Në mënyrë të përsëritur, në refrenin e këngës thuhet komandanti Enver Hoxha, ndërsa në një moment thuhet Edi Rama.

Kërkesa për shkarkimin e Peçit është bërë nga deputeti demokrat, Tritan Shehu, i cili shkruan:

“I kërkoj Kryeministrit, si deputet i qarkut, të shkarkojë menjëherë kryetarin e Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi. Gjithashtu Prokuroria duhet të veprojë ndaj tij për shkelje të ligjit. I bëj thirrje opinionit publik, mediave, shoqatave të ish-të përndjekurve politikë të reagojnë me forcë ndaj këtij skandali e turpi të vërtetë!

Tërmeti i “bëmave të mëdha”, mbrëmë në darkën zyrtare të shtruar nga Bashkia e Tepelenës me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të saj, i thur lavde e këndon për diktatorin Hoxha, gjë që më tej e publikon.

Një sfidë e vërtetë kjo ndaj ligjit, demokracisë, një ofendim ky për proceset tona demokratike, një arrogancë e pa kufi ndaj ish-të persekutuarve, ndaj gjithë këtij populli, që e pagoi shumë shtrenjtë atë diktaturë të egër.

Një përbaltje kjo edhe e të gjithë atyre, që ranë apo luftuan fashizmin e nazizmin, për një Shqipëri të lirë, demokratike, të begatë, pavarësisht nga mënyra se si ata e perceptonin këtë në vitet e asaj lufte epokale.

Ishte ai diktator e ajo diktaturë, që tradhtoi e shkeli edhe mbi gjakun e sakrificat e tyre, qoftë edhe të popullit atdhetar e liridashës të Tepelenës, që njohu gjatë saj veçse vuajtjet, persekutimet, varfërinë.

Çdo të ndodhte në Gjermani apo Itali sikur një kryetar Bashkie t’i thurte lavde në një ceremoni zyrtare Hitlerit apo Musolinit!?

A mund të më përgjigjeni për këtë ju z.Kryeministër?” /a.y/noa.al

Kryebashkiaku i Tepelenës këndon dhe nderon me grusht Enver Hoxhën