Transmetuar më 15-09-2018, 14:31

Drejtori i Komunikimit në kryeministri, Endri Fuga, i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike e cila akuzon kreun e qeverisë dhe ministrin Xhafaj se kontrollojnë biznesin e lojërave të fatit.

Sipas tij, "Partia Demokratike vazhdon avazin e vjetër dhe të dëshpëruar të baltosjes së përditshme”.

Fuga thotë se akuzat e opozitës janë të pabazuara në fakte për favorizim të kompanive të basteve dhe lojrave të fatit.

Ai mohon artikulimet e Partisë Demokratike duke sqaruar se asnjë familjar i Kryeministrit apo Ministrit të Brendshëm nuk ka asnjë lidhje me kompanitë e basteve apo atyre që bëjnë monitorimin e basteve online.

“Në datë 31 dhjetor të këtij viti, duke mbajtur zotimin e dhënë dhe të sanksionuar në ligj si afati i fundit për kompanitë, nuk do të ketë më asnjë kompani lojrash fati brenda territorit të qyteteve”, thuhet në reagim.

Sipas Drejtorit të Komunikimit, nëse gjatë qeverisjes së PD-së ekzistonin 40 kompani të tilla dhe arkëtoheshin nga shteti 37 milionë dollarë, sot numri i kompanive është përgjysmuar dhe të ardhurat në buxhet nga aktiviteti i tyre janë pothuajse dyfishuar.

Nga PD nuk presim dot asgjë tjetër. Por kemi të drejtë të presim që më në fund mediat që i pasqyrojnë këto shpifje apo përgënjeshtrime, të bëjnë mundësisht punën e tyre dhe të verifikojnë kush gënjen në këtë mes.

Ndërkohë Kryeministri dhe qeveria do të vijojnë të punojnë me të gjithë vëmendjen për njerëzit, pa humbur kohë dhe energji në rrugën e vjetër të baltës ku opozita zvarritet e përpiqet papushim të zvarrisë vetë Shqipërinë”, thuhet në reagimin e Fugës. /k.k/noa.al/