Transmetuar më 15-09-2018, 12:38
Foto ilustruese

Përshpejtimi i ritmeve të Vetting-ut në muajt korrik dhe gusht është shoqëruar me rritjen e numrit të denoncimeve nga ana e qytetarëve ndaj gjyqtarëve e prokurorëve.

Për muajin qershor janë paraqitur 170 denoncime nga qytetarët, në korrik 224, dhe në gusht 106.

Nga tetori i vitit 2017, janë depozituar pranë këtij komisioni 1,688 denoncime, me një rritje të dukshme nga tre muajt e parë të vitit kur totali i denoncimeve ishte rreth 1 mijë.

Rritja e numrit të denoncimeve lidhet me shtimin e rezultateve të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, por edhe me shtimin e guximit të qytetarëve për t’ju drejtuar autoriteteve lidhur me padrejtësitë që kanë pësuar.

Trendi konfirmohet për Scan nga dy organizata jofitimprurëse, të cilat më parë kanë nënvizuar frikën e qytetarëve për të denoncuar padrejtësitë që u janë bërë nga gjyqësori.

Ndërkohë që edhe vetë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, publikon vetëm statistikat e denoncimeve, dhe jo identitetin e personave.

Mes tyre, sipas Komisionit, ka pasur denoncime të vlefshme, të cilat u kanë ardhur në ndihmë trupave gjykuese, ndërkohë që çdo denoncim i bashkëlidhet dosjes së subjektit të rivlerësimit, të cilit i takon denoncimi dhe është trupa gjykuese që, në zbatim të ligjit, shqyrton dhe vendos për të.