Transmetuar më 15-09-2018, 11:55
Skafi me kanabis

Policia italiane finalizoi një aksion anti-drogë në kuadër të të cilit u sekuestrua një skaf me rreth dy tonë drogë ndërkohë në pranga ranë dy shtetas shqiptarë.

Mediat italiane raportuan se gomonia ishte nisur nga brigjet shqiptare ku kishte marrë ngarkesën.

Lidhur me operacionin ka reaguar edhe policia shqiptare që thotë se mjeti lundrues nuk është nisur nga Shqipëria.

“Në bordin e mjetit janë kapur 2 shtetas shqiptarë, A.L. 38 vjeç dhe A.A 36 vjeç, si dhe u sekuestrua rreth 1.700 kg kanabis.

Mjeti detar sipas hetimeve të deritanishme, nga policitë e vendeve partnere, nuk është nisur nga brigjet shqiptare. Megjithatë Policia e Shtetit po vijon shkëmbimin e informacionit me agjencitë partnere për të hetuar mbi lidhjet e të ndaluarve si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në reagimin e policisë.

Më tej në reagimin e Policisë së Shtetit thuhet se mjeti lundrues është nisur nga brigjet kroate. Po ashtu, edhe sinjalizimi sipas policisë është dhënë nga autoritetet e këtij vendi.

“Gomonia është sinjalizuar fillimisht nga Policia Kroate si e dyshuar në dalje nga ujërat e tyre territoriale. Qendra Kombëtare e Koordinimit (NCC) kroate dje rreth orës 22:30 ka njoftuar NCC italiane për një mjet të dyshimtë në dalje nga ujërat kroate. Gomonia është pikasur nga Guardia di Finanza në zonën e Viestes në të njëjtin drejtim të ujërave kroate”, sqaron policia./a.m./noa.al/

Kapet në brigjet italiane skafi me dy tonë drogë, pranga dy shqiptarëve