Transmetuar më 15-09-2018, 09:43
Rama gjatë ceremonisë për përcjelljen e studentëve

Një ditë më parë në Rinas u mbajt ceremonia e inaugurimit të “Air Albania” ndërsa sot kryeministri Edi Rama ishte sërish atje për të zhvilluar një tjetër ceremoni, për fluturimin e parë të kompanisë shqiptare.

Por, Partia Demokratike ka publikuar disa të dhëna përmes të cilave thotë se tregohet që kompania në fjalë nuk është liçensuar, ose thënë më thjeshtë: nuk ekziston fare.

Teksa Rama përcolli disa studentë të ekselencës që u nisën për në Stamboll me avionin e quajtur “Lasgushi”, deputeti i PD Endri Hasa ka publikuar të dhënat ku sipas tij tregohet se avioni nuk i përket kompanisë shqiptare.

“Vettingu në politikë e ka shfazuar Edi Ramën! Mashtron shqiptarët, keqpërdor studentët, jep shfaqje me një kompani që nuk është e licensuar për fluturim me kodin shqiptar. Sot nga Rinasi në oren 8.30 nuk u nis asnjë avion i ‘Air Albania’, siç gënjeu Edi Rama. Për shfaqjen qesharake të kryeministrit në hall u përdor kompania ‘Turkish Airlines’ TK6888”, shkruan deputeti Hasa.

Bashkëngjitur ai zbulon edhe itineraret e Rinasit ku tregohet se fluturimi është i regjistruar nga kompania “Turkish Airlines”.

“Të dhënat online nga aeroporti i Rinasit tregojnë se ky është një fluturim shtesë i ‘Turkish Airlines’, sepse ‘Air Albania’ nuk ekziston përveçse në reklamën luksoze të Edi Ramës”, thotë deputeti./a.m./noa.al/