Transmetuar më 14-09-2018, 18:00

Kryetari i Bashkisë Kamëz, njëkohësisht dhe kreu i degës së PD, ka reaguar ndaj situatës së paprecedentë të regjistrimeve në Shkollën e Mesme Profesionale në Kamëz.

Zoti Mziu ka denoncuar faktin e regjistrimeve me ndikim politik ne këtë shkollë.

Ja reagimi i kryebashkiakut të Kamzës Xhelal Mziu:

“Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, për fatin e keq dhe situatën e rëndë të diskriminimit që i bëhet Kamzës dhe banorëve të saj, një gjë e rëndë po ndodh në

Shkollën Profesionale Kamëz, ku regjistrimet e deritanishme janë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të deputetit të Partisë Socialiste të zonës dhe kryetarit të kësaj force politike po të zonës së Kamzës.

Ky akt është një shkelje flagrante e të drejtës së dhjetëra dhe qindra të rinjve dhe të rejave që dëshirojnë të vazhdojnë studimet dhe të cilat nuk mund të regjistrohen pa rekomandimin e monitoruar të këtyre dy personave me pushtet politik në këtë zonë.

Shkolla Profesionale është investim i Komuniteti Evropian, i Bankës Botërore dhe KFW që erdhi si një bashkëpunim i ngushtë i Bashkisë Kamëz me qeverinë “Berisha”, me një vlerë rreth 1 milion euro. Kjo infrastrukturë e realizuar me sukses pati si qëllim në vetvete afrimin e qindra, mijëra të rinjve nga e gjithë Shqipëria për t’u përgatitur për profesione të ndryshme”.