Transmetuar më 14-09-2018, 12:45
Rama gjatë emisionit

Kryeministri Edi Rama ishte i ftuari i parë i emisionit të ri politik në Top Channel “Open” me Eni Vasilin.

Veç çështjeve të aktualitetit politik, ai ka ndarë me shikuesit edhe disa detaje të panjohura rreth momenteve të para kur ka hyrë në godinën e Kryeministrisë.

Rama zbuloi diçka që i ka lënë atij shije të keqe nga paraardhësit.

Ai tha se nuk ka gjetur asnjë dhuratë simbolike që u është bërë kryeministrave.

Shefi i qeverisë deklaroi se gjithçka që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, do të qëndrojë në atë institucion.

“Kur jam bërë kryeministër në godinën e kryeministrisë ku nuk kishte asnjë dhuratë, ndërkohë që në të gjitha kryeministritë e vendeve serioze apo normale, dhuratat që vijnë për kryeministrat, kur kalojnë një vlerë simbolike, regjistrohen dhe qëndrojnë aty. Për herë të parë Kryeministria ka një regjistër të dhuratave të çmuara dhe unë nuk i kam marr me vete, por i kam lënë aty. Nuk e di, a i kanë marrë apo ua kanë marrë. Kur kam hyrë në Kryeministri i kishin marrë të gjitha, nuk kishte asgjë. Unë kam bërë një dasmë dhe janë të regjistruara, të kthyera, të gjitha dhuratat e dasmës që kalojnë një vlerë simbolike. Unë do isha i lumtur sikur të hapeshin të gjitha librat e pasurive dhe të shpenzimeve të politikanëve, të familjarëve dhe të krushqve të tyre. Të merreshin të gjitha shpenzimet e tyre, hotelet ku kanë qëndruar. Mbi të gjitha të zbardheshin të gjitha burimet e të ardhurat që kanë prodhuar pasuri me shpenzime të larta, jo normale. Jam shumë i interesuar që kjo të fillojë nga sarajet e mia”, tha Rama./a.m./noa.al/