Transmetuar më 14-09-2018, 12:38
Ruçi gjatë prononcimit për mediat

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka reaguar pas akuzave të opozitës se vonoi publikimin e draftit të paraqitur nga PD për vettingun në politikë.

Nga Fieri, ai deklaroi se gjithçka u bë sipas procedurës ligjore, duke mos shkelur asnjë afat.

Ai tha se tashmë drafti është botuar në faqen zyrtare dhe shpjegoi procedurat që do të ndiqen.

“Ka ditë që ky draft është paraqitur. Sipas procedurave parlamentare, dje ka qenë afati për të njoftuar seancë e parlamentit. Është futur në programin e Kuvendit. Është botuar në faqen e Kuvendit. Pas dy jave nga data e depozitimit do të mblidhet Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i ligjeve që do të bëjë një program për njohjen, diskutimin dhe për materialin dhe më pas do të çohet për diskutim”, deklaroi Ruçi.

I pyetur nga gazetarët nëse mazhoranca do ta votojë apo jo këtë projektligj, kreu i Kuvendit nuk ka preferuar të japë një përgjigje.

Por, mes rreshtash ai theksoi edhe njëherë qëndrimin e shumicës politike e cila konsideron se vettingu kryhet nga organet e reja të drejtësisë.

“Do të miratohet apo jo, është shumë shpejt për të dhënë unë verdiktin. Jam kryetar i Parlamentit dhe drejtues i saj. Vettingu për politikanët është diskutuar në të kaluarën, qoftë në vitin organik, i cili miratoi me konsensus ligjet për dekriminalizimin, ashtu si pjesë e vettingut janë objekt i reformës në drejtësi. Presim nisma, drafti është në tavolinë e diskutimit. Do të diskutohet dhe gjykohet në momentin e duhur”, vijoi Ruçi./a.m./noa.al/