Transmetuar më 13-09-2018, 14:03

Kryeministri Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kanë reaguar përmes rrjeteve sociale për votimin e Parlamentit Europian pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kreu i qeverisë e ka pritur me padurim këtë vendim, duke shkruar “Shyqyr që Parlamenti Europian e hoqi nga vetja njollën me të cilën Europa ka kaq vjet që cënon flamurin e vet duke mos hequr vizat për Kosovën”.

Ai shton se “Kosova mbetet dhe për pak kohë i vetmi vend me viza për në Europë, por kjo e sotmja është një hap për t’u përshëndetur sidoqoftë”.

Edhe kryedemokrati Basha e ka pritur pozitivisht teksa shkruan se kjo ditë është e merituar për qytetarët e Kosovës.

“Përshëndes votimin e Parlamentit Europian për lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës në BE. Ky votim i njeh qytetarëve të Kosovës një të drejtë të merituar dhe dinjitet të barabartë në rajon. Votimi i PE është mbështetje e qartë për Kosovën dhe perspektivën e saj europiane”, shkruan Basha.

420 deputetë të PE kanë votuar për liberalizimin e vizave ndërsa 186 ishin kundër. 22 kanë abstenuar. /k.k/noa.al/