Transmetuar më 12-09-2018, 21:09

Përdorimi i lëndëve të ndryshme kimike dhe pesticide nga fermerët në Shqipëri, ka bërë që të rritet ndjeshëm masa e prodhimeve bujqësore me nivel të lartë hormonesh që shkaktojnë dëmtim të shëndetit të konsumatorëve.

Nitratet dhe nitritet janë konstatuar si më të dendura në fruta dhe perime vendae që tregtohen në tregjet dhe dyqanet e vendit.

Në Shqipëri, nuk ekziston asnjë laborator i certifikuar për të analizuar nivelin e këtyre lëndëve te prodhimet bujqësore.

Megjithatë disa kanë blerë pajisje elektronike të cilat evidentojnë nivelin e nitrateve dhe nitriteve te frutat, perimet, mishi dhe peshku, duke provuar se sa të dëmshme ose jo janë këto prodhime për jetën tonë.

Nga konstatimet e individëve që i kanë postuar ditët e fundit në rrjetet sociale, gjenden në tregun shqiptar, fruta dhe perime të prodhuara në vend si dhe të importuara, me nivel nitratesh dhe nitritesh edhe dhjetë herë më të lartë se norma e lejuar.

Edhe në një investigim që publikoi sot emisioni satirik “Fiks Far”, u konstatua e njëjta gjë: Në tregjet tona tregtohen fruta dhe perime me nivele të larta të nitritit dhe nitrateve. Frutat dhe perimet që rezultuan sipas aparatit me nivel të lartë nitriti janë panxhari, lakra, lakra e kuqe, shalqini, pjepri, banania, kungulleshka, patëllxhani, patatja, brokoli. Me nivele deri në 10 herë më të lartë se norma e lejuar.

Në këto kushte blerësit po konsumojnë nitrat mbi normat e lejuara. Por kjo lëndë  rrezikon seriozisht shëndetin për shkak të nitrosaminave, disa prej të cilave janë kancerogjene.

E vërtetuar shkencërisht nga Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore, dhe jo vetëm, nitritet sapo futen në organizëm, përthithen me shpejtësi dhe sekretohen në formën e nitrateve me urinën.

Nitritet e ardhura nga ushqimet, mund të oksidojnë hemoglobinën, duke e transformuar në metahemoglobinë, pra, duke reduktuar kështu aftësinë e rruazave të kuqe për të lidhur dhe transportuar oksigjenin. Ato, gjithashtu, mund të krijojnë nitrosaminat, disa prej të cilave janë kancerogjene.

ISUV është Laborator i Referencës në Shqipëri për Universitetin Bujqësor Kamëz, Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Institutin e Transferimit të Teknologjive Bujqësore Lushnjë.

ISUV është i vetmi institucion që e ka aparaturën dhe të shtruar metodën, por aty analizat nuk bëhen pasi nuk ka specialistë. Për më shumë se një vit është kërkuar, por nuk është gjetur akoma nga Departamenti i Administratës Publike.

Pëllumb Aleksi, drejtori i këtij Instituti, pohon se kërkimi i një specialisti të tillë nuk është i lehtë, aq më tepër kur flitet për një nivel të lartë akademik.

Shefja e Laboratorit, Vjollca Vladi, thotë se metoda e analizës që kryhet aty nëse do të kishte specialistë, është shumë e saktë dhe e një sigurie të lartë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Minisitria e Bujqësisë, e pranojnë verbalisht që kjo analizë nuk kryhet në asnjë laborator të vendit tonë.