Transmetuar më 11-09-2018, 20:42

Fikja të hënën e sinjalit analog në Tiranë dhe Durrës ka shkaktuar probleme për një pjesë të qytetarëve, të cilët janë gjetur të papërgatitur për ndjekjen e TV shqiptare në transmetimet dixhitale.

Shumë syresh pas kërkimit automatik kanë pritur të  shohin rreshtimin e kanaleve dixhitale në televizorin e tyre.

Por kjo ka ndodhur tek ata qytetarë që kanë qenë të pajisur vetëm me televizorët e gjeneratës së re, të cilët kanë të trupëzuar brenda marrësin dixhital DVBT2.

Për të gjithë të tjerët, nevojitet pajisja me një aparat gjeneralist DVBT2 marrës dixhital. Shumë prej qytetarëve e kanë përjetuar jo mirë këtë situatë pasi nuk kanë patur mundësi të informohen në lidhje me mënyrën se si do të veprohet më pas.

Pavarësisht se AMA pas ankesave të qytetarëve, rindezi të martën, sinjalin analog, duke shtyre tranzicionin me 4 muaj, deri në 15 janar, të gjithë qytetarët duhet të dijnë se përftimi i kanaleve dixhitale bëhet me këtë marrës të thjeshtë, i cili nuk ka nevojë për abonim tek asnjë platformë private, dhe me të cilin përftohen pa pagesë kanalet shqiptare.

Instalimi i dekoderit DVB T2 në një aparat televizori të thjeshtë ose T1 kryhet në një mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë.

Pas dekoderit vendoset fisha e dhëmbëzuar HDMi, vihet në prizë dekoderi e më pas instalohet edhe fishi i antenës.

Ndezja e dekoderit do të sjellë edhe shfaqjen e logos dhe menysë ndërsa në ikonën kërkim automatik do të shtypet butoni që e nis këtë procedurë.

Pas disa minutash në ekranin e televizorit do të shfaqet lista me kanalet.

Të gjithë teleshikuesit të cilët e kanë aparatin DVB -T2 ose televizorin e tyre të pajisur me këtë teknologji mund të shohin të gjithë kanalet e paketës RTSH si dhe kanalet kombëtare pa asnjë pagesë.

Lexoni edhe: Hapat e kërkimit të kanaleve televizive dixhitale