Transmetuar më 11-09-2018, 20:06

Një stacion metroje në Nju Jork, që u shkatërrua gjatë sulmit terrorist të 11 shtatorit ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë, u rihap pas 17 vjetësh. Qyteti i Nju Jorkut ka shpenzuar 181.8 milionë dollarë për të rindërtuar stacionin e rrugës Cortland, nën Qendrën Botërore të Tregtisë.

Tavani duhej rindërtuar plotësisht pasi pjesë të Qendrës Botërore të Tregtisë, ranë. Edhe shinat duheshin zëvendësuar. Emri i ri i stacionit është Cortland në Qendrën Botërore të Tregtisë.

Treni i parë që mbërrin në platformën e stacionit të rindërtuar, u përshëndet me brohoritje dhe hare të shtunën.

"Nuk më besohet që pas 17 vjetësh, vjet dita që ndalon përsëri këtu”, thotë Fideo Molina nga Bronks i Nju Jorkut.

Stacioni i rindërtuar ka një mozaik prej mermeri të quajtur “Kor” të artistes, Ann Hamilton. Puna e saj përfshin tekste nga Deklarata e Pavarësisë e vitit 1776 dhe deklarata e të Drejtave të Njeriut e OKB-së.

"Kemi punuar vërtet me intensitet gjatë tre viteve të fundit për ta rindërtuar stacionin në këtë vend shumë simbolik dhe të veçantë në Nju Jork. Puna artistike është spektakolare. Është një nderim i përshtatshëm për ata që humbën jetën më 11 shtator”, thotë Andy Byford i Agjencisë Metropolitane të Transportit.

Rinovimi filloi vonë, sepse po punohej në zonën mbi tokë që u shkatërrua në sulmet terroriste të 11 shtatorit.

Por, projekti përfundoi në kohë për të shënuar 17 vjetorin e sulmit më të rëndë terrorist në Shtetet e Bashkuara.

Mbi 2 mijë e 700 vetë humbën jetën dhe mijëra të tjerë u plagosën kur dy avionët goditën qendrën dhe përmbysën kullat binjake.

Zyrtarët e transportit thonë se Cortland në Qendrën Botërore të Tregtisë nuk është thjesht një stacion i ri, është një simbol i vendosmërisë së njujorkezëve jo vetëm për të rindërtuar por edhe për të përmirësuar gjithë zonën përreth Qendrës.