Transmetuar më 11-09-2018, 16:46

Pasi kaluan rreth 30 orë nga vendimi i papërgjegjshëm i Autoritetit të Medias Auiovizive (AMA) për mbylljen e paralajmëruar të sinjalit analog bashkë me pjesërisht atë dixhital, shqiptarët në një të tretën e vendit u dyndën për orë të tëra në radhë, kryesisht në dyqanet e Digitalb, për të blerë dekoderat e kësaj kompanie që shet njëkohësisht edhe abonime televizive me pagesë.

Ky vendim, u konsiderua si abuziv dhe i papranueshëm edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama:

“Zbatimi i normës europiane është një domosdoshmëri, por nuk fiket sistemi i vjetër pa siguruar akses për këdo në sistemin e ri”, – thotë z.Rama në një mesazh publik që shpërndau pak orë më parë.

Ky mesazh, mund të lexohet si një tërheqje veshi ndaj AMA, ndërkohë që në rrjetet sociale, përfshirë faqen e kryeministrit, ky reagim po shihet si “kofini pas të vjelit”, për shkak se siç shprehen ata, janë me mijëra shqiptarët që u detyruan dhunshëm të vrapojnë në radhë orëshe për të blerë dekoderë.

Rama tha sot edh se e përshëndet vendimin e AMA për rindezjen e sistemit të vjetër të transmetimit televiziv.

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA ka vendosur rindezjen e transmetimeve televizive analoge deri më 15 janar 2019. Duke folur të martën, më 11 shtator 2018, në një takim me gazetarët në zyrën e tij, kryetari i këtij institucioni, Gentian Sala, pranoi se, “vendimi kishte si shkak situatën e krijuar në terren ditët e fundit, kur janë krijuar vështirësi në pajisjen e qytetarëve me dekodera”. /noa.al/