Transmetuar më 09-09-2018, 20:40

Kryeministri grek Aleksis Cipras tha sot nga Selaniku se çështja çame nuk ekziston dhe me Shqipërinë nuk po negociohet lidhur me të.

Pohimi i z.Cipras u bë pasi u pyet nga mediat përgjatë konferencës për shtyp që dha në ditën e dytë të Panairit Ndërkombëtar në Selanik.

“Negociatat me Shqipërinë po zhvillohen në nivel ministrash të jashtëm të dy vendeve. Ato janë çështje të vështira, por megjithatë bisedimet janë në klimë pozitive”, – tha z.Cipras.

Këtu, kreu i qeverisë greke, paralajmëroi Tiranën zyrtare se nuk ka negociata me BE nëse nuk plotësohen kushtet:

“Është e qartë se, në mënyrë që Greqia të mbështesë hapjen e kapitujve të negociatave të integrimit, duhet që të kryen një sërë reformash dhe premtimesh që ka bërë qeveria shqiptare. Shumë nga këto premtime janë prej viti 2009. E kam fjalën për zonat detare nga ana e tyre, e kam fjalën për librat shkollorë dhe ndryshimin e tyre, për varrezat e ushtarëve grekë, dhe sidomos të reformave për sa i përket të drejtave të minoritetit grek”.

Kryetari i qeverisë helene foli dhe për ato që i cilësoi zëra për ndryshim kufijsh:

“Ndërsa dëgjohen shumë zëra, disa prej tyre nuk kanë asnjë lidhje me realitetin, si për shembull pastrimi dhe mirëmbajtja e piramidave në kufirin tokësor. Disa thanë se ka të bëjë me një përcaktim të rinj të kufijve, por ky proces nuk ka asnjë lidhje me këtë gjë”.

Z.Cipras komentoi dhe debatet për çështjen çame: “Disa përpiqen të fusin nga “dritarja” çështjen çame. Nuk ekziston kjo çështje. Dhe do të thosha se është për të mirën tonë, që në këto tema të ketë më shumë mendjekthjelltësi pas në çështje serioze kombëtare duhet të ketë informim, dakordësi dhe besim”, tha Tsipras.

Kryeministri grek foli edhe për Kosovën. Ai tha se janë krijuar kushtet e zgjidhjes së një çështjeje shumë të vështirë, duke shtuar se beson që mund të ketë një hartë zgjidhjeje të këtyre problemeve.

“Ndjekim nga afër këto zhvillime dhe natyrisht nëse ka një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës që do te jepte vizionin e një zgjidhjeje, ne do ta përgëzonim këtë marrëveshje”. – u shpreh z.Cipras.