Transmetuar më 09-09-2018, 12:06

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, reagon pas anulimit të vizitës në Drenicë të homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiç.

Ai thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës, ditë më parë kishte miratuar kërkesën për vizitën e Presidentit të Serbisë në Kosovë, duke përfshirë itinerarin e saktë.

Por, për shkak të rrethanave të reja të krijuara dhe ruajtjes së sigurisë së qytetarëve dhe të vetë delegacionit të presidentit serb, sot Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për anulimin e vizitës së tij në fshatin Banje.

Si President i Kosovës, Thaçi thotë se e mirëkupton plotësisht reagimin e qytetarëve të Drenicës, të cilët kanë shprehur revoltën e tyre të arsyeshme kundër një vizite të tillë, duke shtuar se kjo tregon se plagët e dhimbjes dhe luftës janë ende shumë të freskëta.

“Megjithatë, në kohën kur jemi duke bërë përpjekje për paqe dhe pajtim, protestat dhe bllokimi i rrugëve, aspak nuk na ndihmojnë. Prandaj, unë e kuptoj edhe zhgënjimin e banorëve të komunitetit serb në fshatin Banje, për pamundësinë e realizimit të kësaj vizite”, shprehet Thaçi.

Ai vijon qëndrimin e tij duke thënë se të gjithë duhet të përmbahen dhe të tregojnë kulturë minimale njerëzore të mirëkuptimit dhe komunikimit njerëzor.

“Ne duhet të dimë të ngrihemi mbi vetveten, mbi plagët dhe dhimbjet e shumta. Duhet ta bëjmë këtë për hir të paqes dhe pajtimit”, deklaroi Presidenti i Kosovës.

Policia e Kosovës bllokoi automjetin e Vuçiç dhe eskortën e tij, duke mos e lejuar që të shkojë në Banjë. Kjo pasi paraditen e sotme Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, anuloi lejen e dhënë për të lejuar Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, që të vizitonte Drenicën.

Në qëndrimin e bërë publik ai tha se, “Siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhequr lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.

Ky vendim i Haradinaj, vjen pas protestave të zhvilluara nga qytetarët e Kosovës, për të mos lejuar vizitën e Vuçiç në Banjë, të Drenicës. /a.y/noa.al

Protestat dhe ndalimi nga policia e Kosovës, Vuçiç anulon vizitën në Drenicë

Rrugës për në Drenicë, policia e Kosovës ndalon Presidentin serb

Haradinaj i anulon Vuçiç, lejen për të vizituar Drenicën. Reagon Presidenti serb