Transmetuar më 05-09-2018, 11:19

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është adresuar përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave në lidhje me ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka vazhduar të mbështesë idenë se marrëveshja paqësore me Serbinë të përfshijë edhe ndryshimin e kufirit.

Ai ka deklaruar se marrëveshja nuk do të përfshijë ndarje dhe as shkëputje të pjesës veriore të Kosovës.

“Çfarë do të thotë kjo? E para nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Nuk do të ketë shkëputje të pjesës veriore të Kosovës. E kam thënë më parë dhe e them përsëri, nuk do të bisedojmë kurrë, në asnjë rrethanë për liqenin e Gazivodës apo për qytetin e Mitrovicës”, tha Thaçi.

Në debatin e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) presidenti Thaçi ka ritheksuar se arritja e marrëveshje për normalizimi e raporteve me Serbinë do t’i hapte Kosovës rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe anëtarësimit në Kombet e Bashkuara (OKB).

“Si Kosovë kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë si vende finje na mbetet të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë, prandaj jemi angazhuar në dialog me Serbinë tani e sa vite. Është koha tani për marrëveshja e madhe historike përfundimtare mes dy shteteve”, u shpreh Thaçi.

Ai ka deklaruar se vëmendja bashkësisë ndërkombëtare është përqendruar në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë dhe se kjo vëmendje e këtyre mekanizmave duhet të shfrytëzohet.

“Është e rëndësishme të shfrytëzojmë këtë rast dhe të arrijmë këtë marrëveshje. Nëse e humbasim këtë rast pas zgjedhjeve të institucioneve të Bashkimit Evropian që do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm rrezikojmë të gjendemi si Kosovë dhe si rajon përballë një Bashkimi Evropian më të mbyllur për Ballkanin Perëndimor. Rrjedhimisht do të kemi më pak vëmendje dhe vendosmëri për të shtyer përpara proceset që garantojnë paqe dhe siguri në Kosovë dhe në tërë Evropën Juglindore”, u shpreh Thaçi./REL