Transmetuar më 04-09-2018, 23:39

Rreth 5 muaj më parë, peshëngritësi Briken Çalja u shpall kampion i trefishtë i Evropës me 3 medalje të arta, duke zbutur sadopak imazhin e dopingut që kishte mbuluar këtë sport në Shqipëri.

Megjithatë, aq shumë raste të njëpasnjëshme i bënë të gjithë të pamundur për ta pritur siç duhej e respektuar si duhej, deri në pritje të analizave të dopingut. Afati i pritjes së tyre, sipas rregullores është rreth 21 ditë.

Kanë kaluar rreth 5 muaj dhe ndaj kampionit të Evropës nuk ka asnjë mirënjohje, falënderim, madje as shpërblim të merituar.

“Nuk kam marrë asgjë deri më tani. Kampionatin e kam përfunduar më 28 mars të këtij viti dhe asgjë. Kjo pritje është jashtëzakonisht shumë e madhe dhe është hera e parë që po ndodh kështu”, thotë Briken Çalja.

Brikeni, pavarësisht se është një sportist i klubit Tirana, jeton dhe stërvitet në vendlindjen e tij në Shtërmen, rreth 60 km larg kryeqytetit. Atje e filloi stërvitjen edhe kur doli kamion Evrope, por për të arritur deri aty u desh të shpenzonte me paratë e tij rreth 17 mijë euro për të shkuar deri në Gjeorgji, për t’u stërvitur në kushte optimale.

“Më japin vetëm trajtime ushqimore, çfarë mund të bëjë një kampion Evrope me to? Nuk kemi mundësi as të blejmë ilaçet e nevojshme, se këtu kur përmend ilaçe të gjithë mendojnë për dopingun, por ato janë ilaçe të nevojshme për shkak se ne ngrejmë tonelata. Nuk i zëvendëson dot aq shumë kalori thjesht ushqimi. Me sa duket nuk i intereson njeriu fjala sport”, thotë më tej Briken Çalja për Top Channel.

Pavarësisht se Çalja ka marrë 3 medalje të arta, në dy stilet dhe në dygarësh, ligji i sportit parashikon shpërblim vetëm për një medalje, atë të dygarëshit. “Katër milionë lekë të reja është shpërblimi, ose më saktë 3.4 mln, sepse na mban shteti edhe tatimet. Mënyra sesi na menaxhon apo sesi na trajton shteti shqiptar është me të vërtet për të ardhur keq. Edhe pse e them me gjysmë zëri këtë, kështu është e vërteta, fatkeqësisht”, tha Çalja./Top Channel/