Transmetuar më 04-09-2018, 07:54

Kjo javë ka nisur me një forcim të valutave kundrejt monedhës vendase. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 126.4 lekë, duke u rritu me 0.13 lekë në raport me të premten e javës së kaluar. Euro ka shënuar në këtë mënyrë në tregun vendas, të nëntën ditë radhazi kur vetëm mbiçmohet.

Monedha e përbashkët këmbehej në nivelim më të lartë që nga 12 qershori, kohë kur Banka e Shqipërisë nisi ndërhyrjet në tregun e brendshëm me synimin për të frenuar rënien e pazakontë të euros, që zbriti nga rreth 134 lekë në fillim të vitit në 124.17 lekë në fillim të qershorit. Pas ndërhyrjeve, euro u rrit për dy ditë në nivelin e 128 lekëve dhe më pas u stabilizua në rreth 126 lekë, teksa institucioni monetar qendror paralajmëroi se do të ishte vazhdimisht i pranishëm në treg.

Në gusht, si rrjedhojë e efekteve sezonale, euro u nënçmua, por rënia ishte më e frenuar se vitet e tjera për shkak se banka e Shqipërisë hoqi vazhdimisht likuiditetin e tepërt nga tregu. Niveli më i ulët i euros në gusht zbriti në 125.48, në datën 10, shkruan ‘monitor’.

Më pas, me mbarimin e efekteve sezonale, euro filloi të forcohej gradualisht, për të arritur sot në nivelin më të lartë në tre muaj.

Në rritje ka qenë dhe dollari, i cili u këmbye me 108.91 lekë, 0.72 lekë më shumë se fundi i javës së kaluar.

Aktorët e tregut pohojnë se me mbarimin e efekteve sezonale është e vështirë që të parashikohet se si do të jetë ecuria e kursit të këmbimit. Dy vitet e fundit, kursi është luhatur nga faktorë jo të zakontë të kërkesë-ofertës, e ndikuar dhe nga hyrjet informale të valutës, që kanë ndikuar ndër të tjera dhe në forcimin e pazakontë të monedhës vendase, teksa deficiti i llogarisë korente nuk ka shënuar përmirësim të dukshëm.