Transmetuar më 17-08-2018, 15:48

Tragjedia e pak ditëve më parë, në Xhenova të Italisë, ku nga shembja e urës “Morandi” humbën jetën 39 persona, mes tyre edhe 2 shqiptarë, ka vënë në alarm shumë shtete për të kontrolluar urat.

Edhe në Shqipëri, Drejtori i Përgjishëm i Policisë Rrugore tha se “ka filluar inspektimin e sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal mbi ura”.

Në një deklaratë për mediat, Mitat Tola u shpreh se do të ketë monitorim të rreptë të peshës së automjeteve që kalojnë mbi ura.

“Javën në mbyllje dhe javët në vijim, shërbimi i Policisë Rrugore në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, nisur nga ngjarja tragjike – rrëzimi i Urës në Genova të Italisë, ku humbën jetën 39 persona, ka filluar inspektimin e sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal mbi tregimin e peshës së lejuar të mjeteve mbi ura si dhe në përbërje të grupeve teknike të inspektimit edhe për të verifikuar gjendjen e këtyre strukturave dhe të elementeve të sigurisë. 

Në bashkëpunim me aktorë të tjerë të ngarkuar me ligj për menaxhimin e elementëve të sigurisë rrugore në këto infrastruktura, Shërbimi i Policisë Rrugore do të monitorojë në mënyrë të rreptë tejkalimet e peshave të ngarkesave të mjeteve, për të shmangur dëmtimet dhe respektimin e ligjit duke “prodhuar” me shumë siguri rrugore”, tha Tola.

Po ashtu, Franca, Bullgaria, Rumani dhe disa vende të tjera të Europës kanë nisur inspektime të urave për të parandaluar tragjedi të ngjashme më atë të Xhenovas. /k.k/noa.al/