Transmetuar më 17-08-2018, 10:00

Janë gjashtë anëtarë të një familje, personat e plagosur mëngjesin e sotëm, si pasojë e përplasjes së një treni udhëtarësh në zonën e Golemit, me një makinë.

Policia jep detaje zyrtare duke thënë se ngjarja ndodhi rreth orës 09:10 të kësaj të premteje, në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Më konkretisht treni i udhëtarëve i linjës Durrës-Elbasan është përplasur me një mjet tip Volvo me targa angleze me drejtues shtetasin B. C., rreth 40 vjeç, banues në Durrës, i cili në mjet ka qenë me bashkëshorten dhe katër fëmijët.

Gjashtë të plagosurit janë drejtuesi i mjetit B.C., gruaja e tij L.C., 38 vjeçe, djali L.C., 8 vjeç, djali D.C., 6 vjeç, vajza E.C., 4 vjeçe dhe djali i vogël O.C., 2 vjeç.

Familjarët e plagosur ishin kthyer për pushime në vendlindje, nga Londra. Ata u dërguan në spitalin e Durrësit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Aktualisht grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Paraprakisht dyshohet se 40-vjeçari nuk e ka pikasur trenin që po afrohej, duke kaluar mbi shina. /a.y/noa.al

Treni përplasi automjetin, pamje nga vendi ku mbetën të plagosur anëtarët e një familje

Treni përplaset me automjetin në Golem, dyshohen të plagosur