Transmetuar më 13-08-2018, 16:08

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi liderët dhe qytetarët e Luginës së Preshevës, për siç tha, “arritjen e qëllimit të përbashkët të bashkimit të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën”.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi tha se bashkimi i këtyre territoreve me Kosovën, që gjenden në jug të Serbisë, do të mund të arrihet përmes korrigjimit të kufirit mes këtyre dy shteteve.

“Kjo e drejtë duhet të na bashkojë pa dallime partiake, ideologjike dhe bindjesh tjera, qoftë nga pozita institucionale, e shoqërisë civile apo e opozitës”, shkruan presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi po kërkon që në kuadër të dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, të flitet edhe për korrigjimin e kufijve dhe mundësisë së bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Idenë e ndryshimit apo korrigjimit të kufijve nuk po e përkrah kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në një deklarim të bërë javën e kaluar, tha se kufijtë ndryshohen vetëm me luftë.

Deklarata e Thaçit mund të shihet edhe si sfidim i paralajmërimit më herët sot, nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila shfrytëzoi një takim sot me kryeministrin e Bosnje-Hercegovinës, që të japë një mesash të prerë ndaj zërave për ndryshim kufijsh në gadishullin ballkanik.

Kancelarja Merkel tha se ka tendenca të caktuara në Ballkanin Perëndimor dhe se po flitet për rivendosje të kufijve, gjë e cila, sipas mendimit të saj nuk mund të bëhet.

“Ekziston një perspektivë evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, – tha zonja Merkel, pas takimit që pati me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdic, i cili ndodhet në Gjermani për vizitë zyrtare.

Deklarata e Merkel është e para e një drejtuesi të lartë shteti në BE që sfidon planet e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ndryshim kufijsh Kosovë-Serbi përmes bashkimit të Preshevës me Kosovën, si dhe planet e Beogradit për të marrë troje shqiptare.

Sërish sot, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi këmbënguli në idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën. Sipas tij, kjo ide duhet të bashkojë gjithkënd pa dallime partiake.

Reagimi i Thaçit: Edhe njëherë i falënderoj liderët dhe qytetarët e Luginës së Preshevës që po përkrahin arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta për bashkimin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo e drejtë duhet të na bashkojë pa dallime partiake, ideologjike dhe bindjesh tjera, qoftë nga pozita institucionale, e shoqërisë civile apo e opozitës.

Lexoni dhe: Merkel sfidon Thaçin: Nuk ka ndryshim kufijsh në Ballkan