Transmetuar më 13-08-2018, 16:00

Kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel, shfrytëzoi një takim sot me kryeministrin e Bosnje-Hercegovinës, që të japë një mesash të prerë ndaj zërave për ndryshim kufijsh në gadishullin ballkanik.

Kancelarja Merkel tha se ka tendenca të caktuara në Ballkanin Perëndimor dhe se po flitet për rivendosje të kufijve, gjë e cila, sipas mendimit të saj nuk mund të bëhet.

“Ekziston një perspektivë evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, – tha zonja Merkel, pas takimit që pati me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdic, i cili ndodhet në Gjermani për vizitë zyrtare.

“Bosnja dhe Hercegovina përpiqet të bashkohet me Bashkimin Evropian, prandaj është dashur që t’i përgjigjet qindra pyetjeve dhe ne kemi inkurajuar qeverinë që të përgjigjet në këto pyetje shtesë,” tha Merkel duke iu referuar takimit me Zvidzic.

Kancelarja gjermane Angela Merkel në konferencë të përbashkët me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq.

Kancelaria premtoi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë dhe mbështetje nga shteti i Gjermanisë.

Merkel gjithashtu bëri të ditur se prioritet është anëtarësimi i Bosnje dhe Hercegovinës në NATO.

Deklarata e Merkel është e para e një drejtuesi të lartë shteti në BE që sfidon planet e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ndryshim kufijsh Kosovë-Serbi përmes bashkimit të Preshevës me Kosovën, si dhe planet e Beogradit për të marrë troje shqiptare.

Sërish sot, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi këmbënguli në idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën. Sipas tij, kjo ide duhet të bashkojë gjithkënd pa dallime partiake.

Reagimi i Thaçit: Edhe njëherë i falënderoj liderët dhe qytetarët e Luginës së Preshevës që po përkrahin arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta për bashkimin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo e drejtë duhet të na bashkojë pa dallime partiake, ideologjike dhe bindjesh tjera, qoftë nga pozita institucionale, e shoqërisë civile apo e opozitës.