Transmetuar më 10-08-2018, 17:01

Një sulm i paprecedentë ka ndodhur paraditen e sotme në godinën e Ambasadës së Kosovës në Suedi.

Ambasada është shprehur nëpërmjet një deklarate për mediat se sulmi me mjete të forta ka shkaktuar lëndime ndaj personelit diplomatik, pasi ata kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare.

Sipas Ambasadës së Kosovës këto sulme “janë të papranueshme”, ndaj kërkojnë nga autoritetet e Suedisë, që të zbardhen sa më shpejt agresorët.

Edhe Ministria e Jashtme e Kosovës ka dënuar sulmin.

“Ministria e Punëve të Jashtme falënderon autoritetet suedeze për reagimin e shpejtë dhe bashkëpunimin e ngushtë në lidhje me këtë rast.

Ky është sulmi i dytë ndaj Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm që nga hapja e saj në vitin 2009”, thuhet në komunikatën për shtyp.