Transmetuar më 08-08-2018, 13:19

Fluturimet amerikane të hapësirës po hyjnë në një epokë të re: NASA ka prezantuar ekipet që do të testojnë fluturimet dhe misionet operacionale në bordin e anijeve të hapësirës nga subjekte private për qëllime biznesi, që do të lëshohen nga Shtetet e Bashkuara.

Anijet e hapësirës të gjeneratës së shkuar janë hequr tashmë nga përdorimi në vitin 2011.

Fluturimet provë të moduleve CST-100 Starliner të kompanisë Boeing dhe Crew Dragon nga kompania SpaceX, pritet të fillojnë vitin që vjen.

Njoftimi u bë në Qendrën e Hapësirës Johnson në Hjuston të Teksasit nga administatori i NASA-s Jim Bridenstine.

“Për herë të parë që nga viti 2011 jemi në prag të dërgimit në hapësirë të astronautëve amerikanë me raketa amerikane nga toka amerikane.”

Nëntë astronautë janë caktuar për katër fluturime komerciale me mjetet ajrore Starliner të kompanisë Boeing dhe Crew Dragon të kompanisë SpaceX.

Një bashkëpunim i ngushtë nga NASA me këto kompani ka rezultuar në projektimin, zhvillimin dhe vënien në provë të sistemeve për t’u siguruar se ato përmbushin kërkesat. Nicole Aunapu Mann është astronaute me agjencinë NASA.

“Përfshirja në teste dhe zhvillim dhe pjesmarrja në ditën e lëshimit si dhe përjetimi i rezultateve të gjithë kësaj pune, do të jetë një moment krenarie për ekipin dhe për të gjithë Amerikën.”

Victor Glover i flotës ushtarake detare, do të pilotojë Crew Dragon të kompanisë SpaceX në misionin e parë operativ drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Kjo do të jetë hera e parë që ai fluturon në hapësirë.

“Mundësia për të punuar me këto kompani për diçka kaq të rëndësishme për vendin tonë dhe agjencinë NASA… kjo është ëndrra e një piloti provash dhe ndjehem shumë krenar për punën që po bëhet realitet.”

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, thotë se partneriteti publiko-privat përmes Programit të Ekuipazhit Komercial do të inkurajojë industrinë amerikane të hapësirës dhe vazhdimin e novacioneve për të ardhmen.