Transmetuar më 07-08-2018, 17:00

“Kufijtë nuk lëvizen pa luftë”, kjo ishte përgjigja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve dhe bashkimin e Luginës se Preshevës me Kosovën.

Sipas Haradinajt, Kosova kufijtë e saj i ka vendosur me luftë dhe siç thotë ai, vetëm lufta mund t’i ndërrojë.

Kryeministri deklaroi se nga dialogu me Serbinë ka mbetur vetëm njohja mes këtyre dy shteteve dhe asgjë më tepër.

“Kufijtë janë vendosë me luftë vetëm lufta mundet me i luajtë. Kush kujton se luhen kufijtë ndryshe, gabim e kanë. Krejt ka janë shqiptarë me qejf i kishim marrë edhe Preshevën, për këtë s’ka dilemë askush besoj. Por kufijtë janë vendos nga lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe ndërhyrja e NATO-s, këta janë kufijtë, janë dhjetëra e mijëra njerëz në tokë për këta kufij. Është bukur imagjinatë e lehtë me mendu që dikush luan me kufij se s’luhet me kufij. Mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur vetëm njohja reciproke, dialogu është për njohje në këta kufij”, theksoi ai.

Ai thotë se ndryshimi i kufijve i përshtatet vetëm presidentit rus Vladimir Putin, për të rritur fuqinë e tij.

Por, kryeministri Haradinaj, theksoi se Kosova i përket udhëheqjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj edhe nuk do t’i lëvizë kufijtë.

Kryeministri kosovar thekson se e vetmja zgjidhje për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë është njohja e pavarësisë nga Beogradi./a.k/noa.al/