Transmetuar më 02-08-2018, 12:50

Pushteti qendror në Kosovë, është duke u përfshirë në opsionin e ndryshimit të kufijve territorialë të Republikës së Kosovës, duke synuar marrjen e Luginës së Preshevës nën kontroll.

Në fakt është kërkesë e sjellë orët e fundit sërish me ngulm nga përfaqësuesit e Luginës së Preshevës.

Ata, përmes një deklarate politike, kërkojnë nga udhëheqësit kosovarë që çështja e Luginës të përfshihet në dialog me Serbinë.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi tha sot se marrëveshja për fqinjësi të mirë me Serbinë e cila pritet të arrihet nuk mund të jetë e plotë në kushtet kur të drejtat e shqiptarëve në Luginë cenohen.

 “Kjo është mundësia jonë më e mirë që në kuadër të bisedimeve të Brukselit, institucionet e Kosovës ta shtrojnë këtë si temë të tentojnë që me Serbinë dhe me bashkësinë ndërkombëtare të gjendet një zgjidhje edhe për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Kemi biseduar edhe me Presidentin dhe deklaratën politike që e kemi aprovuar dhe ia kemi dorëzuar edhe atij”.

Kamberi thotë se zgjidhja e çështjes së Luginës duhet të bëhet si tërësi e jo në formë parciale.

“Ndarja e një apo dy fshatrave nga Lugina e Preshevës do të sillte katastrofë humanitare të shpërnguljes së tërësishme të shqiptarëve nga Lugina, prandaj kjo duhet të jetë një çështje që me shumë kujdes të trajtohet sepse, nëse nuk ka zgjidhje të Luginës së Preshevës si tërësi, me Komunën e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës, atëherë zgjedhje të tjera frikësohem se do të mund të sjellin tragjedi të reja në këtë pikë…”.

Por njohësit e çështjeve politike në vend nuk e shohin këtë si të mundshme, që Kosova të bëjë korrigjimin e kufijëve.

Profesori i negociimit ndërkombëtar në Universitetin e Parisit, Valon Murtezaj në një bisedë për radio Kosovën, deklaratat e fundit si vijat kufitare me Serbinë, korrigjimi i kufirit apo edhe ndarja i quan terme të rrezikshme.

Murtezaj thotë se këto nuk do të ndodhin:

"Kufijtë në Ballkan janë të ndërtuar në atë mënyrë sa që nëse bie një kufi, bien edhe kufijtë e tjerë. Dhe kjo nuk është procesi më i lehtë i mundshëm, përkundrazi është gjëja më e vështirë e mundshme që mund t’i ndodhë gjithë regjionit të Ballkanit. Personalisht mendoj se këto gjëra nuk do të ndodhin, proceset e kufijve ndërlidhën me aspektet e delimitimit dhe demarkimit, pra nuk mund të bëhen nga askush tjetër, sidomos jo nga ndonjë ekip negociator i cili nuk ka mandat për me bërë një gjë të tillë”.

Kurse analisti, Ramush Tahiri thotë se sipas Kushtetutës së Kosovës, Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.

"Kosova me Kushtetutë, neni 1 pika 3 e ka të ndaluar bashkimin e një pjese me një shtet tjetër ose bashkimin e krejt Kosovës me një shtet tjetër, këmbimin e territorit që të gjitha shtetet tjera i kanë të parapara, Kosova i ka të kufizuara dhe kjo është e paraparë me Kushtetutë dhe kjo është një akt ligjor".

Ai thotë se fillimisht Kosova duhet të njihet nga Serbia, e pastaj përmes marrëveshjes mund të bëhet korrigjimi i kufirit. “Për të arritur marrëveshjen duhet të njihet shteti, në këtë rast nga Serbia  dhe pastaj në kuadër të marrëveshjes bëhet shënimi i vijës kufitare, në bazë të vijës administrative  ose ndryshimi i vijës kufitare pasi të jetë shënuar në terren. Tani për tani çdo këmbim i kufijve apo përcaktim i vijës kufitare me Serbinë, pa u pranuar Kosova si shtet nga Serbia dhe pa u bërë anëtare e OKB-së, nuk mund të bëhet”.

Ndërkohë presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do të ketë korrigjim të kufijve që nënkupton respektim të kërkesës së institucionalizuar  të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën.

Presidenti Thaçi, foli sot për mundësinë, siç e cilësoi ai, të korrigjimit të kufirit me Serbinë, gjatë procesit të ardhshëm të dialogut. Ai siguroi se nuk do të ketë ndarje, por korrigjim kufijsh.

Këto komente, Thaçi i bëri pas vizitës në Odën Ekonomike të Kosovës.

Thaçi tha se përfaqësuesit e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë e kanë shprehur vullnetin e tyre që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, ndaj, sipas tij, nëse ka pajtueshmëri në dialog, kjo pjesë do të mund t’i bashkohet Kosovës.

“Kemi rreth 400 kilometra të kufirit me Serbinë që duhet të shënjohen dhe pa demarkacionin me Serbinë nuk mund të përmbyllet procesi i shtetformimit dhe konsolidimit”, tha Thaçi.

“Për këtë arsye do të diskutohet për demarkacionin, për korrigjimin e kufijve dhe në kuadër të korrigjimit të kufijve, në asnjë rrethanë, për asnjë çmim nuk do të mund të imponohet realizimi i aspiratës serbe për ndarje të Kosovës. Ndërkaq, mendoj se është shumë e realizueshme, e pranueshme nga ana jonë, kërkesa e institucionalizuar e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën”, theksoi presidenti Thaçi.

“Nëse ka marrëveshje apo pajtueshmëri të dyanshme (në dialogun me Serbinë) askush nuk do të dilte kundër një marrëveshjeje të dyanshme, pra as Bashkimi Evropian, as SHBA dhe as NATO”, tha Thaçi.

Sipas tij, “korrigjim të kufijve do të ketë, por assesi ndarje të Kosovës”.

Thaçi tha se pret që nga fundi i muajit gusht apo fillimi i shtatorit, që dialogu të dinamizohet nën lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjithsesi z. Thaçi nuk tha nëse në këmbim të marrjes së Preshevës do të ofrohet për Serbinë, ndonjë pjesë e Kosovës, ku ka përqendrim më të madh serbësh.

Shpesh në Mitrovicë, banorët serbë të saj kanë shprehur opsionin për t’iu rikthyer kontrollit të Serbisë.