Transmetuar më 01-08-2018, 11:16

Zëdhënësi i Qeverisë greke, Dhimitris Tzanakopoulos thotë se Kryeministri Alexis Tsipras, vizitoi zonën e prekur prej zjarreve në Mati.

Ai deklaroi se Kryeministri dha urdhër që procedurat për rehabilitimin e zonës së prekur por edhe për mbështetjen e të gjithë atyre që u prekën nga zjarret, të përfundojnë sa më shpejt dhe të jenë të thjeshta, pa ngarkesa burokratike shtesë.

“Kanë filluar ndërkohë masat e menjëhershme të mbrojtjes së qytetarëve në zonë, me prerjen nga njësi të specialuzuara, të pyllit të djegur, nën mbikëqyrjen e Shërbimit pyjor dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve si dhe me ndihmën e vullnetarëve nga ndërmarrje drusore. Drejtoria Pyjore për Ambientin në Ministrinë e Energjisë dhe të Ambientit, mbështet në vend procedurat e mbledhjes së mbeturinave”, deklaroi Tzanakopoulos.

Ai bëri me dije se qysh të premten e 27 korrikut, kanë përfunduar kontrollet dhe regjistrimet që kryen inxhinierët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Transportit në zonat e prekura nga zjarret.

Numri i përgjithshëm i kontroll vlerësimeve në Bashkitë Marathona, Rafina-Pikermi dhe Megara, kap shifrën e 3676. Prej tyre, 1803 ndërtesa u vlerësuan si të gjelbra, 827 ndërtesa të verdha dhe 1046 ndërtesa të kuqe.

Që prej së martës 31 korrik, nisi depozitimi i kërkesave për akordimin e ndihmës së jashtëzakonshme dhe të menjëhershme në formën e subvencionit për persona fizikë dhe për biznese që u prekën prej zjarreve. Ndihma kap shumën e 5000 eurove për çdo banor, ose të 6000 eurove për familje me tre dhe më shumë fëmijë, dhe të 8000 eurove për bizneset.

Do të vihet në funksionim menjëherë një numër unik telefoni i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe të Autoritetit të Pavarur të të Ardhurave Publike AADE, ku të prekurit do të mund të telefonojnë për të marrë informacionet e domosdoshme për çështje që kanë të bëjnë me Ministrinë e Infrastrukturës, si dhe për çështje respektive tatimore.

Për sa u përket masave mbështetëse prej Ministrisë së Punës:

Akordimi i ndihmës ekonomike prej 10.000 euro për të afërmit e viktimave të zjarreve do të bëhet automatikisht prej Personelit Qendror të Ministrisë së Punës.

Akordimi i subvencionit mujor për fëmijët nën kujdestari të viktimave të zjarreve, në shumën prej 1000 eurosh në muaj, do të bëhet automatikisht prej OPEKA- Organizmi për Ndihmat Sociale dhe Solidaritetin Shoqëror-nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Punës.

Dhënia e ndihmës së menjëhershme dhe të jashtëzakonshme prej 2 pensionesh mujore për pensionistët e prekur, si dhe për të moshuarit e pasiguruar, do të përfundojë deri më datën 20 Gusht.

Ministria e Politikës Dixhitale do t’u akordojë të prekurve prej zjarreve menjëherë shumën prej 1200 eurosh për përballimin e nevojave të tyre vjetore të telekomunikimit. Ministria e Politikës Dixhitale do të fillojë kreditimin në llogaritë e atyre që u takon, duke grumbulluar të dhënat për ta prej listave që ka përpiluar Ministria e Infrastrukturës, pa qenë nevoja që të prekurit të bëjnë ndonjë veprim shtesë.

Gjithashtu, në mbledhjen me Kryeministrin, u vendos edhe ngritja e një Komisioni të Posaçëm nën drejtimin e Ministrit të Shtetit, për hartimin e një propozimi të detajuar me qëllim ristrukturimin dhe ngritjen në një stad të ri, të shërbimit të Mbrojtjes Civile, forcimin e rolit të saj koordinues dhe udhëheqës.

Së fundi, po hartohet një plan ndërhyrjesh për trajtimin e gabimeve që janë bërë në qendrat e banuara në të gjithë vendin, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Ambientit, por edhe një plan ndërhyrjesh konkrete urbanistike në MATI.

“Respekti për viktimat na imponon që ne si Shtet, t’u qëndrojmë në krah familjeve të tyre, por edhe të ndërmarrim nisma konkrete dhe masa për rehabilitimin e zonës dhe për përballimin e patogjenezave dhe shtrembërimeve në vend. Kjo mund të jetë dhe falja e vetme në praktikë që mund të kërkojë Shteti për përgjegjësitë e tij ndër vite”, u tha në mbyllje të qëndrimit. /a.y/noa.al