Transmetuar më 30-08-2018, 11:44

Nga zona e Gjirit të Lalëzit në Durrës, në një aktivitet për turizmin mesditën e sotme, Kryeministri Edi Rama deklaroi se këtë vit sezoni turistik ishte më i sigurtë.

Ai kaloi në detaje duke thënë se në gjithë Shëngjinin energjia ka ikur vetëm 20 minuta dhe një herë të vetme.

Sipas tij bëhet fjalë për një sezon me një organizim komplet ndryshe prej qeverisë dhe strukturave përkatëse.

Madje ai e cilësoi sezonin më të sigurtë nga pikëpamja e krimeve, duke përjashtuar masakrën me 8 viktima në Selenicë.

Sipas tij është sezoni më i sigurtë turistikë nga pikëpamja e detit, por nënvizoi se nuk mund të jemi të kënaqur deri sa shifrat të jenë minimale.

Rama kujtoi se ka pasur të vrarë në mjetet e ujit, por se këtë vit kanë qenë të disiplinuara në kufijtë e tyre.

Ai e cilësoi si vitin me shërbimin më të mirë shëndetësor të urgjencës në të gjithë bregun, duke thënë se i gjithë sistemi i përforcimit me pikat e urgjencës shëndetësore të ngritura për sezonin ka funksionuar mjaft mirë.

Kreu i qeverisë tha se jemi në një moment kur turizmin po e shohim gjithnjë e më shumë të japë mbrapsht atë që pritet prej tij.

Edhe lidhur me ata që thonë se çmimet në bregdet janë të larta, dha një përgjigje që mund të ngjallë diskutime, “Atyre që thonë çmimet janë të larta, ju them se është interesant fakti se turistët e huaj thonë se Shqipëria është shumë e bukur dhe se çmimet janë të lira. Ndërsa shqiptarët që thonë Shqipëria e është e shëmtuar, çmimet janë të shtrenjta dhe ata që shërbejnë janë për tu vrarë. Tani ose turistet e huaj janë nën efektin e drogës që i kemi dhënë ne si qeveri, ose ka problem me këta që komentojmë. Çmimet i vendos tregu jo qeveria”,

Në këtë drejtim deklaroi se nuk diskutohet që çmimet në Shqipëri janë shumë të lira, ashtu sikundër numri i shqiptarëve që pushojnë jashtë shtetit janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. /a.y/noa.al